Peshqit ngordhën pas zbrazjes së rezervuarit/ Nis dezinfektimi në Kasharaj, droni spërkat zonën

01/10/2026 14:36

Situata në rezervuarin e Kasharajt në Lushnjë vijon të jetë e rënduar, disa ditë pasi ulja e ndjeshme e nivelit të ujit shkaktoi ngordhjen e një numri të madh peshqish.

Ditën e sotme ka nisur dezinfektimi i zonës, ndërsa një dron i Ministrisë së Bujqësisë është ngritur mbi hapësirën ku janë grumbulluar gjallesat e ngordhura dhe po kryen spërkatjen e vatrave të prekura.

Pamjet nga terreni tregojnë vijimin e situatës problematike, me peshq të ngordhur të përqendruar në zonat ku uji është tërhequr dhe ka mbetur kryesisht baltë e llucë.

Problematika u shfaq pasi niveli i ujit në rezervuar ra ndjeshëm. Bashkia e Lushnjës ka planifikuar rikonstruksionin e portës dalëse të rezervuarit, ndaj uji është zbrazur për t’i hapur rrugë punimeve.

Rezervuari i Kasharajt përdoret për vaditjen e tokave bujqësore të Lushnjës, ndërsa situata e krijuar ka ngritur shqetësim edhe për pasojat në gjallesat dhe mjedisin përreth.

Ndërhyrja me dezinfektim synon trajtimin e zonave ku janë përqendruar peshqit e ngordhur, ndërsa situata vijon të monitorohet.

Top Channel