Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, ka vijuar takimet e para zyrtare në Tiranë, pak ditë pasi mori zyrtarisht detyrën.
Pas kryeministrit Edi Rama dhe ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, Wendt është takuar sot me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi.
Wendt nisi axhendën e takimeve me krerët e institucioneve shqiptare një ditë më parë. Fillimisht ai u prit nga Rama në Kryeministri, ndërsa më pas zhvilloi një takim me ministrin Hoxha. Ambasada amerikane bëri të ditur se në takimin me kryeministrin u diskutua për thellimin e bashkëpunimit në mbrojtje, zgjerimin e tregtisë dhe investimeve, si dhe forcimin e luftës kundër krimit të organizuar.
Pas takimit me Hoxhën, ministri i Jashtëm deklaroi se pret të punojë ngushtë me ambasadorin e ri për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, zgjerimin e mundësive ekonomike dhe të investimeve, si dhe forcimin e bashkëpunimit për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Takimet e para të Wendt në Tiranë zhvillohen në një moment të ngarkuar për politikën dhe institucionet shqiptare, teksa në qendër të vëmendjes janë edhe hetimet e SPAK dhe zhvillimet e fundit në strukturat e sigurisë, përfshirë çështjen që lidhet me ish-drejtoren e SHISH, Vlora Hyseni.
Lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës është renditur ndër prioritetet e Wendt për misionin e tij në Shqipëri. Gjatë dëshmisë para Senatit amerikan, ai është shprehur gjithashtu në mbështetje të punës së SPAK dhe të bashkëpunimit të tij me autoritetet amerikane të zbatimit të ligjit.













