Protestuesja i “zë pritë” jashtë SPAK-ut, përplaset me Kryemadhin, ja çfarë ndodhi

Monika Kryemadhi u përball sot me një protestuese teksa po jepte një deklaratë për mediat pas daljes nga Gjykata e Posaçme.
Protestuesja, e cila u prezantua si Artemisa, qëndronte disa hapa larg Kryemadhit dhe po e filmonte me telefon. Ajo reagoi pasi ish-deputetja u shpreh se “do të ketë një ditë gjykimi për të gjithë”.
Artemisa i tha Kryemadhit se gabimet e politikanëve kanë dëmtuar të ardhmen e të rinjve. Në përgjigje, Kryemadhi deklaroi se nuk ka firmosur kurrë asgjë, ndërsa shtoi se e vetmja keqardhje që ka është se ka votuar disa ligje.
Përplasja verbale ndodhi në prani të gazetarëve, pak minuta pasi Kryemadhi kishte dalë nga ambientet e Gjykatës së Posaçme.
Pjesë nga debati:
Monika Kryemadhi: Dita e gjykimit do të na vijë të gjithëve.
Artemisa (protestuesja): Edhe për ju Monika, për të gjithë.
Monika Kryemadhi: Patjetër zemra ime. Si e keni emrin?
Artemisa (protestuesja): Jam Artemisa, jam një protestuese.
Monika Kryemadhi: Dhe unë të them mos u tërhiq Artemisa, mësoni nga gabimet tona, mësoni nga gabimet e të tjerëve.
Artemisa (protestuesja): Gabimet tuaja i kanë shkaktuar shumë pasoja të ardhmes sonë.
Monika Kryemadhi: Artemisa, unë për fatin tim të mirë dhe të keq, nuk kam firmosur asnjëherë bordero shteti. Për fatin tim të mirë dhe të keq, jam marrë vetëm me njerëz të cilëve u kam kërkuar të më votojnë dhe kanë pasur lidhje miqësore me mua. Për fatin tim të keq kam votuar ligje të cilat sot do të vijnë tek unë, kanë ardhur tek unë para 4 vjetëve, por pas 4 muajsh do të vijnë te ti, të jesh e sigurt.


