Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar Bashkimit Evropian që të avancojë procesin e integrimit të Kosovës, duke e konsideruar të arsyeshëm dhënien e statusit të vendit kandidat për anëtarësim.
Kërkesa e Kurtit vjen gjatë vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Ballkanin Perëndimor. Në një deklaratë të fundit, kryeministri kosovar tha se Prishtina pret që rezultatet e saj të përkthehen në një hap konkret drejt BE-së: statusin kandidat.
Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor 2022, ndërsa deri tani aplikimi nuk ka kaluar në fazën e statusit kandidat. Sipas dokumenteve të institucioneve të Kosovës, vendi pret që, pas marrjes së këtij statusi, të nisë përgatitja për hapjen e negociatave të anëtarësimit.
Kurti ka argumentuar se Kosova ka bërë përparim në reformat e lidhura me procesin evropian dhe se është plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë.
“Bazuar në meritat, Kosova i plotëson kriteret për statusin e vendit kandidat dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit”, është shprehur Kurti, duke kërkuar mbështetjen e von der Leyen që çështja të shtyhet përpara në institucionet e BE-së.
Kryeministri kosovar ka kërkuar gjithashtu që Brukseli të japë një opinion për aplikimin e Kosovës dhe ka argumentuar se procesi i afrimit gradual me Bashkimin Evropian duhet të jetë pjesë e rrugës drejt anëtarësimit të plotë dhe jo një alternativë ndaj tij.
Një tjetër çështje e ngritur nga Kurti lidhet me lehtësimin e qarkullimit të mallrave. Ai ka kërkuar anëtarësimin e Kosovës në Konventën për Tranzitin e Përbashkët, me synimin që transporti tregtar ndërmjet Kosovës dhe vendeve të BE-së të bëhet më i shpejtë dhe me kosto më të ulët.
Kurti ka përmendur edhe zbatimin e agjendës së reformave në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, një analizë e brendshme e Komisionit Evropian, e raportuar nga POLITICO, vlerëson se Kosova ka përmbushur rreth 24–26% të angazhimeve të saj në kuadër të këtij plani.
Vizita e von der Leyen në rajon përfshin Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa në fokus janë hapat e ardhshëm të procesit të integrimit evropian dhe zbatimi i reformave.
Top Channel