E enjte, 1 Tetor 2026 Zilia deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Prokurorët: Jo ndryshimeve në KPP, ndërhyrjet e propozuara dëmtojnë hetimet dhe krijojnë paqartësi

Ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale mund të dobësojnë hetimet sipas Shoqatës së Prokurorëve, veçanërisht në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në reagimin e tyre zyrtar, prokurorët thonë se fragmentimi i kompetencave hetimore, kufizimi i mjeteve për sigurimin e provave dhe pengesat për zgjerimin e hetimit drejt fakteve të reja të lidhura mund të ndikojnë në efektivitetin e ndjekjes penale.

Reklamë

“Ndryshimet që prekin themelet e procedimit penal kërkojnë analiza të thelluara të praktikës dhe vlerësim të plotë të ndikimit të tyre. Ndërthurja mekanike e zgjidhjeve nga modele të ndryshme procedurale, pa respektuar arkitekturën institucionale të sistemit shqiptar, rrezikon të krijojë paqartësi dhe një sistem atipik. Çdo ndryshim duhet të avancojë standardet e Reformës në Drejtësi, duke ruajtur rolin drejtues të prokurorit në hetim dhe kontrollin gjyqësor si garanci plotësuese të ligjshmërisë dhe të të drejtave.”

Prokurorët kundërshtojnë gjithashtu mundësinë që shkeljet procedurale të sjellin automatikisht pavlefshmërinë e akteve apo papërdorshmërinë e provave, duke kërkuar që pasojat të vlerësohen në raport me rëndësinë e shkeljes dhe ndikimin e saj konkret.

Shoqata kërkon një proces konsultimi më të gjerë dhe kohë të mjaftueshme për debat profesional, duke paralajmëruar se çdo ndryshim në procedurën penale duhet të ruajë ekuilibrin mes mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe efektivitetit të hetimeve.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.