BALLKAN, 1 October 2026, 15:00

Dënimi i ish-krerëve të UÇK, Von der Leyen nga Prishtina: Aktgjykimi i Hagës duhet respektuar, historia e Kosovës nuk rishkruhet

Dënimi i ish-krerëve të UÇK, Von der Leyen nga Prishtina:

 

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha nga Prishtina se dënimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale ka të bëjë me përgjegjësinë individuale dhe se rezistenca e Kosovës nuk ka qenë në gjykim.

Von der Leyen, në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Albin Kurti, ka kërkuar që mandati i Gjykatës Speciale të respektohet dhe që mbrojtja të shfrytëzojë të drejtën e apelit.

“Asgjë dhe askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës. 1999 është e skalitur dhe vuajtja që e ka pësuar populli juaj do të qëndrojë me ju përgjithmonë. BE-ja është partner i fuqishëm i Kosovës. Mandati i saj duhet të respektohet dhe mbrojtja ka të drejtë të apelojë. Ky aktgjykim ka të bëjë me përgjegjësinë individuale, rezistenca e Kosovës nuk ka qenë në gjykim”, ka thënë von der Leyen.

Në një konferencë për media pas takimeve me drejtuesit e Kosovës, Von der Leyen u ndal te vendimi i 16 shtatorit, me të cilin Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi u dënuan me burgim për krime lufte.

 “Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara ka shkaktuar emocione të fuqishme. E çmoj reagimin tuaj të matur dhe të liderëve politikë që bëjnë thirrje për qetësi. Ky aktgjykim u dha nga një institucion i pavarur gjyqësor dhe mandati i tij duhet të respektohet”, tha Von der Leyen.

Presidentja e Komisionit Evropian ka kërkuar gjithashtu nga partitë politike që të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.

“Zgjedhja e presidentit. Dialogu mes partive politike është i mundur dhe duhet të vazhdojë. Stabiliteti institucional është kyç”, ka thënë ajo.