PS refuzon mocionin me debat për SHISH/ Balla: Kuvendi nuk mund të dublojë SPAK. Bardhi: Rama të japë llogari

01/10/2026 14:57

Nuk do të ketë debat të posaçëm për Shërbimin Informativ Kombëtar në Parlament. Socialistët refuzuan kërkesën e demokratëve për mocion me debat në Parlament.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve këmbënguli se Parlamenti nuk mund të dublojë SPAK dhe, aq më pak, të ndërhyjë në një çështje që tashmë është në duart e SPAK.

“Asnjë instrument kontrolli parlamentar, nga mocioni me debat deri tek komisioni hetimor parlamentar, nuk mund ta zëvendësojë, ta ndikojë, ta kushtëzojë apo pengojë hetimin e plotë dhe të pavarur nga prokurorët e SPAK. Pafajësia ose fajësia e një zyrtari të vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës”, tha Balla.

Kundërpërgjigjen Gazment Bardhi e dha edhe për mediat.

Kreu i grupit parlamentar demokrat sqaroi se nuk po kërkohet llogari drejtësisë, por Edi Ramës.

“Vlorën e ka emëruar Edi Rama. Duhet të vijë të japë llogari Edi Rama. Dhe Kuvendi i Shqipërisë do të duhet të lejohet të ushtrojë funksionet e veta.

Krerët e dy grupeve parlamentare u përplasën dhe për qëndrimet e presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, krah Edi Ramës”, tha Bardhi.

“Jo më larg se dje Ursula von der Leyen konfirmoi: “Kur shohim çështje të cilat po hetohen, ato janë prova që sistemi po funksionon. Ky është fuqizimi i sistemit”. Prandaj ta lëmë sistemin të bëjë punën e vet”, u shpreh Balla.

Demokratët kritikuan qëndrimet e Von der Leyen.

“Nuk është e çuditshme që ka partnerë ndërkombëtarë që, ndryshe nga realiteti që shohin dhe prekin shqiptarët, na servirin një konkluzion jo objektiv”, shtoi Bardhi.

Kërkesa e demokratëve për mocion me debat do t’i kalojë seancës plenare, por shumica parlamentare i ka votat që ta rrëzojë lehtësisht.

 

Top Channel