BOTA /

Dënimi i liderëve të UÇK, Von der Leyen flet nga Prishtina: Respektoni vendimin! Përgjegjësia, individuale

Shkruar nga Versus

Dënimi i liderëve të UÇK, Von der Leyen flet nga

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e cila ndodhet sot në Prishtinë në kuadër të turit ballkanik, tha se Kosova po kalon nëpër një moment të rëndësishëm politik, duke përsëritur mbështetjen e Bashkimit Evropian për vendin dhe rrugën e tij drejt integrimit evropian.

Ajo shtoi se asgjë nuk e rishkruan dot historinë e vendit pas represionit serb në vitin 1999. 

“Asgjë dhe askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës. Viti 1999 është i skalitur në memorien tuaj kolektive – represioni i dhunshëm, kriza humanitare dhe vuajtja e popullit tuaj. BE-ja ka qëndruar me ju që nga ajo kohë”, tha Von der Leyen.

Duke folur për aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Von der Leyen tha se vendimi ka shkaktuar emocione të fuqishme, ndërsa vlerësoi reagimet e qytetarëve dhe liderëve politikë që kanë bërë thirrje për qetësi.

“Aktgjykimi i Gjykatës Speciale ka shkaktuar emocione të fuqishme dhe çmoj reagimin tuaj të matur dhe të liderëve politikë që thërrasin për qetësi”, tha ajo.

Von der Leyen theksoi se vendimi është marrë nga një institucion i pavarur gjyqësor dhe se mandati i tij duhet të respektohet, ndërsa mbrojtja ka të drejtë të apelojë.

“Vendimi është dhënë nga një institucion i pavarur gjyqësor dhe mandati i tij duhet të respektohet. Mbrojtja ka të drejtë të apelojë. Një gjë është e qartë: ky aktgjykim ka të bëjë me përgjegjësi individuale të personave të pandehur. Rezistenca e Kosovës nuk ka qenë në gjykim dhe duhet ta respektojmë kujtesën për të gjitha viktimat, nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, shtoi kryekomisionerja. Versus.al

Poll