PS refuzon debatin për Vlora Hysenin, Balla: Nuk ndërhyjmë në punën e SPAK. Bardhi: Rama të japë llogari
Mazhoranca ka rrëzuar kërkesën e opozitës për zhvillimin e një debati të posaçëm për arrestimin e ish-numrit një të Shërbimit Sekret Shqiptar, Vlora Hyseni.
Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, opozita këmbënguli se parlamenti duhet të diskutojë për përgjegjësitë e kryeministrit në emërimin e Vlora Hysenit, duke akuzuar Edi Ramën se i ka dorëzuar krimit një prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit shqiptar.
“Vlorën e ka emëruar Edi Rama. Duhet të vijë të japë llogari Edi Rama! Dhe Kuvendi i Shqipërisë do të duhet të lejohet të ushtrojë funksionet e veta.”, tha Bardhi.
Por kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve theksoi se Kuvendi nuk mund të ndërhyjë në një çështje e cila po hetohet nga SPAK-u.
Balla shfrytëzoi mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për të përsëritur qëndrimin e shumicës qeverisëse se “pafajësia ose fajësia e një zyrtari të vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës”.
/vizionplus.tv




