Dhjetëra të burgosur, mes tyre edhe shqiptarë, u barrikaduan brenda një reparti, pasi pretendojnë se kanë zbuluar pajisje përgjimi të vendosura në qelitë e tyre për qëllime hetimore.
Gjithçka nisi mbrëmjen e së mërkurës dhe shumë shpejt situata doli jashtë kontrollit.
Rreth 40 të burgosur morën nën kontroll një pjesë të strukturës dhe kërkuan të takonin komandantin e policisë dhe drejtoreshën e burgut.
Protesta u transmetua drejtpërdrejt në TikTok nga një prej të burgosurve, i cili kishte në dispozicion një telefon celular, pavarësisht ndalimit të përdorimit të tyre në qeli.
Transmetimi mblodhi rreth 15 mijë shikues, përpara se të ndërpritej. Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, të burgosurit shfaqen me fytyra të zbuluara dhe pretendojnë se janë goditur me shkopinj gome.
Ata kundërshtojnë përgjimin dhe thonë se kanë të drejtë të flasin lirshëm në qelitë e tyre, pa frikën se po monitorohen.
Përballë situatës së tensionuar, në burg mbërritën dhjetëra forca policie, karabinierë dhe efektivë të policisë. Raportohet për përplasje mes të burgosurve dhe efektivëve, ndërsa disa ambulanca u futën në institucion për t’u ardhur në ndihmë personave të lënduar.
Sipas raportimeve, gjatë ndërhyrjes mund të jetë përdorur edhe gaz lotsjellës. Pas disa orësh negociatash, një pjesë e të burgosurve u tërhoq nga reparti i pushtuar. Një grup tjetër qëndroi në pritje të një ndërmjetësi të ardhur nga Firence.
Në orët e vona të natës, situata u rikthye nën kontroll. Disa të burgosur, të konsideruar si organizatorë të protestës, u transferuan në institucione të tjera në Toskanë.
Të burgosurit kanë ngritur shqetësime edhe për mbipopullimin e qelive dhe kushtet higjieno-sanitare të burgut. Ndërkohë, jashtë Don Boscos, familjarë dhe miq të të burgosurve u mblodhën duke kërkuar informacion për situatën brenda institucionit.
© SYRI.net