
Është ende herët për të përcaktuan motivin e incidentit të rëndë në avionin e Flydubai-t dhe nëse ka pasur ndonjë përfshirje të Iranit. Kështu tha kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu. Në një intervistë për Fox News, Netanyahu konfirmoi se i dyshuari për sulmin është arrestuar në Arabinë Saudite dhe pritet të transferohet në Emiratet e Bashkuara Arabe, aty ku avioni ishte nisur. Ai tha gjithashtu se Izraeli nuk kishte marrë asnjë paralajmërim apo informacion paraprak për atë që do të ndodhte në bordin e avionit.
“Epo, është ende herët për të thënë. Piloti që kreu sulmin po hetohet aktualisht në Arabinë Saudite. Mendoj se do të dërgohet në Emiratet e Bashkuara Arabe, prej nga është, ose të paktën nga ku u nis, ku mori fluturimin. Ne do ta ndjekim këtë çështje dhe ndoshta do të marrim pjesë edhe në hetim. Kështu që do ta zbulojmë”, tha Benjamin Netanyahu.
Incidenti ndodhi një ditë më parë, gjatë fluturimit nga Dubai drejt Tel Avivit, kur një pilot dyshohet se goditi me thikë kolegun e tij dhe tentoi të merrte kontrollin e avionit. Avioni, me 174 persona në bord, humbi papritur më shumë se 5 mijë metra lartësi. Pasagjerët dhe ekuipazhi ndërhynë, neutralizuan agresorin dhe avioni u ul i sigurt në aeroportin e Tabukut, në Arabinë Saudite.Piloti i plagosur, shtetasi indian Smit Machchhar, ndodhet në spital në gjendje të qëndrueshme. Netanyahu e ka cilësuar atë hero, duke vlerësuar se, pavarësisht plagëve, ai arriti të hapte derën e kabinës dhe ndihmoi në ndalimin e agresorit.
Ndërkohë, ministri izraelit i Mbrojtjes e ka cilësuar incidentin si një tentativë sulmi terrorist xhihadist, por motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta.. Presidenti amerikan Donald Trump, tha se me gjase agresori ishte një terrorist. (A2 Televizion)