Një përditësim i Google Maps ka zbuluar përmasat e shkatërrimit gjatë luftës trevjeçare në Gaza dhe ashpërsinë e krizës së vazhdueshme humanitare me të cilën përballen 2.3 milionë banorët e territorit.
Imazhet janë marrë në qershor të këtij viti dhe tregojnë shkatërrime të mëtejshme të banesave, bizneseve, vendeve të adhurimit dhe infrastrukturës që prej vendosjes së një armëpushimi të brishtë, gati 12 muaj më parë.
Ato tregojnë kampe të mëdha me tenda që shtrihen përgjatë një pjese të madhe të vijës bregdetare, shpesh vetëm disa metra larg detit. Porti kryesor i Gazës, dikur i mbushur me aktivitet, tashmë i dëmtuar rëndë dhe pa varka peshkimi, është i rrethuar nga strehime të improvizuara. Çdo hapësirë e lirë në dispozicion në qytetin e Gazës është e mbushur me baraka, tenda dhe kasolle.
Imazhet tregojnë gjithashtu dëme masive në qytetet veriore, si Beit Lahiya dhe Beit Hanoun, si dhe shkatërrimin e vendeve të adhurimit, përfshirë xhaminë Istiqlal në Khan Younis. Lagje të mëdha në qytetin e Gazës, si Jabaliya dhe Shuja’iya, të cilat janë goditur në mënyrë të përsëritur nga ofensivat izraelite, tashmë duken qartësisht të pabanueshme.
Sipërfaqe të mëdha të mbuluara me rrënoja shihen në jug të Gazës, ku një brez i gjerë duket se është pastruar nga forcat izraelite përgjatë kufirit me Egjiptin. Qyteti i Rafahut duket se është kthyer pothuajse tërësisht në rrënoja, ndërsa Tel al-Sultan është rrafshuar me tokën.
Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA, më shumë se 2.1 milionë persona të zhvendosur po jetojnë në tenda dhe strehime të përkohshme në Gaza. Rreth 82% e strukturave afërsisht 200 mijë ndërtesa, janë dëmtuar, ndërsa rreth dy të tretat e tyre janë shkatërruar.
Një vlerësim i fundit i OKB-së bëri të ditur se numri i strukturave të shkatërruara në të gjithë Gazën ishte rritur me 9% që nga shpallja e armëpushimit në tetor 2025.
“Vlerësohet se sasia totale e rrënojave në Gaza është 61 milionë tonë. Kjo është afërsisht 20 herë më shumë se sasia e rrënojave të krijuara në të gjitha luftërat në mbarë botën gjatë 18 viteve të fundit”, i tha Guardian muajin e kaluar Jaco Cilliers, përfaqësuesi special i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Palestinë.
Prania e mbetjeve mortore të njerëzve që ende ndodhen të varrosura nën rrënoja mbetet një nga problemet më urgjente humanitare.
Më shumë se 74 mijë palestinezë janë vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës, shumica e tyre civilë. Konflikti u shkaktua nga një sulm i befasishëm i Hamasit në Izrael në tetor 2023, gjatë të cilit militantët vranë rreth 1 mijë e 200 persona, kryesisht civilë, dhe morën 251 të tjerë peng.
Lini një Përgjigje