
Csaba László është zyrtarisht trajneri i ri i Vllaznisë. Klubi shkodran ka konfirmuar marrëveshjen me teknikun 62-vjeçar, i cili do të pasojë Edi Martinin në drejtimin e skuadrës kuqeblu.
László ka mbërritur në Shkodër dhe tashmë aventura e tij e re ka marrë formë zyrtare. Tekniku hungarez, me një karrierë të gjatë ndërkombëtare, rikthehet në drejtimin e një skuadre pas eksperiencave të fundit në futbollin rumun.
Karriera e László-s si trajner ka nisur në Gjermani, ku ka drejtuar BW Kerpen, TuS Grevenbroich dhe ekipin e dytë të Borussia Mönchengladbach. Më pas ai u bë pjesë e stafit të kombëtares së Hungarisë si ndihmës i Lothar Matthäus, përpara se të merrte drejtimin e Ferencváros.
Pas eksperiencës te Ferencváros, László drejtoi FC Sopron, ndërsa në vitin 2006 mori drejtimin e kombëtares së Ugandës. Pas dy viteve në Afrikë, ai u transferua në Skoci te Heart of Midlothian, ku arriti një nga rezultatet më të rëndësishme të karrierës së tij, duke e çuar Hearts-in në vendin e tretë të kampionatit dhe në kualifikimin për kompeticionet europiane. Për këtë sezon ai u vlerësua edhe si trajneri i vitit në Skoci.
Më pas karriera e tij vijoi në Belgjikë me Charleroi, përpara se të merrte drejtimin e kombëtares së Lituanisë.
Në vitin 2015 u rikthye në Hungari te MTK Budapest, fillimisht në rolin e skautit dhe më pas si trajner i ekipit të parë.
László vijoi me Dunajská Streda në Sllovaki dhe Dundee United në Skoci, ndërsa në vitin 2019 mori drejtimin e Sepsi OSK në Rumani. Një vit më pas ai u transferua në Indi, ku drejtoi Chennaiyin FC në Super League-n indiane.
Në vitet e fundit ai ka qenë pjesë e FK Csíkszereda në Rumani, ku fillimisht ka mbajtur postin e drejtorit teknik dhe për një periudhë ka marrë edhe drejtimin e skuadrës si trajner i përkohshëm. Në vitin 2025 u rikthye sërish te Sepsi OSK, ku drejtoi skuadrën për një periudhë të shkurtër.
Në Shkodër, László do të ketë në krah Werner Bürger, i cili do të jetë pjesë e stafit teknik si trajner i dytë. Gjermani ka një eksperiencë të gjatë në futbollin europian dhe mbi të gjitha njeh mirë mënyrën e punës së László-s.
Dy teknikët kanë punuar së bashku në disa skuadra. Bürger ka qenë pjesë e stafit të László-s te Hearts në Skoci, MTK Budapest në Hungari, Dunajská Streda në Sllovaki dhe Dundee United. Te këto katër skuadra, bashkëpunimi mes tyre është zhvilluar në disa sezone dhe në kampionate të ndryshme europiane.
Bürger ka pasur gjithashtu eksperienca të tjera në karrierën e tij, ndërsa në vitin 2023 mori për një periudhë të shkurtër drejtimin e FK Csíkszereda si trajner i parë.
Tashmë dyshja Csaba László-Werner Bürger nis zyrtarisht punën në Shkodër. Për trajnerin hungarez bëhet fjalë për një tjetër aventurë në një kampionat të ri, ndërsa në krah do të ketë një bashkëpunëtor me të cilin ka ndarë më herët disa prej eksperiencave të tij europiane.
Stafi i ri teknik do të nisë menjëherë punën me skuadrën, me përballjen e ardhshme ndaj Dinamos që pritet të jetë një nga detyrat e para në axhendën e László-s në stolin kuqeblu.
Dyshja zëvendësin në stolin e Vllaznisë trajnerin Edi Martini që u largua për shkak të rezultateve të dobëta tek kuqeblutë këtë fillim sezoni dhe ndihmësin e tij Ergi Borshi. (A2 Televizion)