Nga E.D.
Publikimi i videove intime pa pëlqimin e personave të përfshirë është një akt i dënueshëm, i papranueshëm dhe me pasoja të rënda psikologjike. Asnjë rrethanë nuk e justifikon dhunimin e privatësisë së një individi, aq më pak shndërrimin e intimitetit të tij në spektakël publik. Pas çdo videoje të shpërndarë ka një njeri, një jetë dhe një traumë që nuk mund të fshihet me një deklaratë apo me një lajm të radhës.
Por, përtej rastit konkret, ndoshta ka ardhur momenti të ndalemi e të shohim një fenomen që prej kohësh po deformon perceptimin e realitetit te të rinjtë shqiptarë.
Të rikthehemi pak në realitet!
Ndoshta kjo ngjarje, sado e dhimbshme për personin e përfshirë, duhet të na shërbejë si një moment reflektimi për një shoqëri që ka filluar të ngatërrojë ekspozimin me suksesin, luksin me lumturinë dhe famën me vlerën njerëzore.
Për vite me radhë, rrjetet sociale, veçanërisht Instagrami, kanë ndërtuar një realitet paralel, ku jeta e disa personazheve publikë paraqitet si një panoramë e pafundme luksi, udhëtimesh, veshjesh firmato, makinash të shtrenjta dhe arritjesh që duken sikur kanë ardhur pa mundim. Një perfeksion i kuruar deri në detaj, që ka ndikuar në mënyrën se si një pjesë e rinisë shqiptare e percepton suksesin dhe vetëvlerësimin.
Në anën tjetër, janë mijëra vajza që zgjohen herët, punojnë në dy apo tri vende, përpiqen të ndërtojnë karrierën e tyre, të fitojnë pavarësinë ekonomike dhe të krijojnë një jetë me dinjitet. Vajza që nuk kanë luksin të ekspozojnë çdo blerje, çdo udhëtim apo çdo arritje, sepse realiteti i tyre është shumë më pak fotografik dhe shumë më tepër i mbushur me përpjekje.
Dhe pikërisht këtu lind një nga kontradiktat më të mëdha të kohës sonë: dy botë paralele brenda një vendi kaq të vogël.
Njëra botë ndërton vlerën mbi punën, përpjekjen dhe rezultatet. Tjetra, të paktën në perceptimin që krijon në rrjetet sociale, e ndërton atë mbi dukjen, ekspozimin dhe konsumin. Kur këto dy realitete përplasen në ekranin e një të riu, lind një ndjenjë e rrezikshme padrejtësie: Pse unë duhet të lodhem kaq shumë, kur dikush tjetër duket se i ka të gjitha pa bërë asgjë?
Kjo është një pyetje që nuk duhet nënvlerësuar. Krahasimi i vazhdueshëm me një realitet të filtruar mund të ushqejë frustrimin, ankthin, ndjenjën e pamjaftueshmërisë dhe, në raste të caktuara, edhe gjendje depresive. Sidomos te të rinjtë që ende po ndërtojnë identitetin e tyre dhe që e matin vlerën personale përmes vëmendjes dhe miratimit të të tjerëve.
Por le të jemi të qartë, problemi nuk është suksesi i dikujt, as luksi që dikush mund të përballojë. Problemi nis kur një shoqëri i jep më shumë rëndësi asaj që duket sesa asaj që është kur puna e ndershme bëhet e padukshme, ndërsa ekspozimi kthehet në model aspirues.
Prandaj, rikthimi në realitet nuk duhet të jetë një thirrje për të gjykuar apo për të poshtëruar dikë. Përkundrazi, duhet të jetë një mundësi për të rishikuar standardet me të cilat po edukojmë brezin e ri.
Sepse një video intime e publikuar pa pëlqim nuk është kurrë një mësim që duhet paguar me dhimbjen e një individi. Por reagimi ynë ndaj saj mund të na mësojë diçka për shoqërinë ku jetojmë: për mënyrën si gjykojmë, si adhurojmë, si krahasohemi dhe si e kemi humbur, ndoshta, masën e asaj që ka vërtet rëndësi.
Ndoshta ka ardhur koha të zbresim nga Instagrami dhe të përballemi me jetën. Atë që nuk ka filtra, nuk ka skenarë dhe ku vlera e njeriut nuk matet me numrin e ndjekësve, por me atë që është dhe me atë që ndërton.
Lini një Përgjigje