AKTUALITET, 1 October 2026, 15:57

Kanosi me kallashnikov 69-vjeçarin pas një konflikti, arrestohet 36-vjeçari në Durrës! Iu gjet arma në banesë

Kanosi me kallashnikov 69-vjeçarin pas një konflikti, arrestohet

Një konflikt për motive të dobëta mes dy personave në Durrës ka përfunduar me arrestimin e një 36-vjeçari, i cili dyshohet se ka kanosur me armë zjarri kallashnikov një 69-vjeçar.

Ngjarja është regjistruar në lagjen nr. 8 të Durrësit, ndërsa pas marrjes së informacionit për konfliktin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë organizuar punën për zbardhjen e rrethanave dhe parandalimin e përshkallëzimit të situatës.

Gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarit, policia ka gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit kallashnikov, e cila dyshohet se është përdorur për kanosjen, si dhe një krehër me municion luftarak.

Sipas Policisë, 36-vjeçari ka precedentë të theksuar penalë në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe krimeve kundër personit.

Njoftimi i Policisë :

"Kanosi me armë zjarri kallashnikov, një shtetas me të cilin u konfliktua për motive të dobëta, arrestohet 36-vjeçari.    

I arrestuari, me precedentë të theksuar penal për armëmbajtje pa leje dhe krime kundër personit.  

Sekuestrohen arma e zjarrit kallashnikov e dyshuar e përdorur për kanosjen dhe një krehër me municion luftarak.   

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, pasi morën informacion për një konflikt në lagjen nr.8, kanë organizuar menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të konfliktit dhe parandalimin e përshkallëzimi të tij. Në kuadër të operacionit të koduar "Relatives", u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi:

-H. Ll., 36 vjeç, banues në Durrës, shtetas me precedentë të theksuar penal në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe krimeve kundër personit.  

Ky shtetas dyshohet se është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin E. B., 69 vjeç, banues në Durrës dhe më pas e ka kanosur atë, me armë zjarri kallashnikov, që e posedonte pa leje.      

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit H. Ll., shërbimet e Policisë gjetën armën e zjarrit kallashnikov që dyshohet se është përdorur për kanosjen dhe një krehër me municion luftarak.  

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme".