Analisti Fatos Lubonja ka vijuar kritikat ndaj kryeministrit Edi Rama, duke komentuar deklaratën e tij për ndërtimin e një kulle në zonën e Parkut Rinia në Tiranë.
I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24 me Ola Brukon, Lubonja tha se Rama, sipas tij, po sfidon qytetarët edhe në një kohë kur në vend vijojnë protestat.
Sipas tij, kryeministri nuk është i gatshëm të zhvillojë dialog, pasi, në interpretimin e tij, një përballje e tillë do ta nxirrte humbës politikisht.
Lubonja e lidhi këtë qëndrim me atë që ai e konsideron si forcim të një “mendësie komuniste” në qeverisje.
Në vijim, Lubonja iu referua edhe raportimeve për shpenzime të larta për verëra, duke ngritur pikëpyetje mbi përgjegjësinë e kryeministrit për njerëzit me të cilët bashkëpunon.
“Ai madje, Rama, sfidon shqiptarët. Deklaron në mes të protestave se do të ndërtojë një kullë në mes të Tiranës, te parku Rinia. Ne nuk kemi kohë, duhet të ndalojmë këtë bandë në veprim! Rama nuk mund të bëjë dialog, është e qartë se e di që e nxjerr humbës. Kur u pyet nga DW nëse mban përgjegjësi për “Hysenin”, sipas tij ishte pyetje e kohës së Enver Hoxhës.
Mendësia komuniste është ajo që po forcohet akoma më shumë, realiteti që u ndërtua në fund të pushtetit të Hoxhës, ku çdo gjë varej nga ai. Rama ka përgjegjësi për ato që kalon vendi. Ka pirë verëra nga 33 mijë euro, apo 18 mijë, imagjinoni ju dhe ky thotë; s’kam përgjegjësi që kam bashkëpunuar me këta njerëz.”, tha Lubonja.












