Pas rreth 5 orësh operacion, zjarri në fshatin Piraj të Lezhës është arritur të vihet nën kontroll. Flakët kanë prekur një pjesë të konsiderueshme të fshatit, duke shkaktuar panik te banorët, të cilët përjetuan momente të frikshme teksa zjarri iu afrua banesave.
Forcat zjarrfikëse vijojnë të jenë në terren për shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit dhe për të parandaluar riaktivizimin e flakëve.
"Zjarri ka filluar në orën 11:00. Zjarri ka ardhur andej nga fshatrat andej sipër, nga fshatrat e Troshanit dhe për 20 minuta ka mbërritur në fshatin Piraj. Dëme shumë të mëdha. Dy shtëpi janë djegur. Shkaku i zjarrit dihet. Se kush është personi që e djeg, nuk e dimë", tha një banore e zonës.
Nga ana tjetër, prefekti i qarkut Lezhë, Taulant Malshi, bën me dije se në operacion pati një angazhim të gjerë të strukturave dhe forcave në terren, duke bërë të mundur minimizimin e pasojave.
"U njoftuam për një zjarr në shkurre dhe në afërsi të linjës hekurudhore. Situata ishte e vështirë dhe precipitoi shumë shpejt. Reagimi i të gjitha strukturave të zjarrfikëseve të Bashkisë së Lezhës, por edhe të bashkive fqinje ishte i shpejtë. U arrit që të eliminohej rreziku në disa banesa që rrezikoheshin seriozisht. Ndërkohë që i gjithë operacioni u mbështet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile përmes ndërhyrjes nga ajri. Zjarri është vënë plotësisht nën kontroll, përveç disa vatrave të vogla në brendësi të fushës, të cilat janë drejt shuarjes së plotë", tha prefekti i Qarkut Lezhë, Taulant Malshi.
Nga zjarri janë djegur dy shtëpi të pabanuara, një kasolle bagëtish, sipërfaqe të mëdha me pemë, si dhe është dëmtuar linja hekurudhore.
Prej rreth orës 15:00, vend-depozitimi i mbetjeve që shërben për bashkitë Bulqizë dhe Klos është përfshirë nga flakët.
Vend-depozitimi ndodhet në afërsi të aksit nacional Bulqizë–Martanesh, ndërsa re të dendura tymi janë përhapur në zonën përreth.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet zjarrfikëse të Bashkive Bulqizë dhe Klos, të cilat po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve dhe shuarjen e plotë të zjarrit.
Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë pasditen e kësaj të enjteje në fshatrat Galush dhe Gjevurë të Peqinit.
Flakët kanë përfshirë pemë, ullinj dhe sipërfaqe me bimësi, ndërsa në vendngjarje po punojnë forcat zjarrfikëse për vënien e situatës nën kontroll.
Për shkak të përmasave të zjarrit, në operacionin për shuarjen e flakëve është angazhuar edhe një helikopter, i cili po mbështet ndërhyrjen nga ajri.
Një 76-vjeçar është arrestuar në Memaliaj, pasi dyshohet se shkaktoi një zjarr që dogji rreth 4 mijë metra katrorë sipërfaqe me pyje, kullota dhe bimësi.
Sipas Policisë, plaku nga Vasjari, u kap në flagrancë pranë vatrave të zjarrit në vendin e quajtur “Gropa e Dardhës”. Ai dyshohet se i kishte vënë flakën tokës që kishte me qira, si edhe një sipërfaqeje toke shtetërore, me qëllim pastrimin e tyre.
Për shkak të përhapjes së flakëve u dogjën rreth 4 mijë metra katrorë sipërfaqe me pyje, kullota dhe bimësi të ndryshme.
Policia bën me dije se 76-vjeçari ishte arrestuar edhe më parë për të njëjtën vepër penale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa Policia e Gjirokastrës u bëri sërish apel qytetarëve të mos djegin mbetje apo sipërfaqe toke për pastrim, pasi përhapja e pakontrolluar e flakëve mund të sjellë pasoja të rënda dhe përgjegjësi penale.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Tre persona janë arrestuar në Fier dhe Lushnjë, pasi dyshohet se kanë shkaktuar zjarre që rrezikuan banesa, sera dhe sipërfaqe të mëdha toke.
Në Fier, në pranga ra një 31-vjeçar nga fshati Pojan. Sipas Policisë, ai dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij, por për shkak të erës flakët u përhapën me shpejtësi, duke rrezikuar banesat dhe sipërfaqe të mëdha pranë Parkut Arkeologjik të Apolonisë.
Ndërkohë, në Lushnjë u arrestua një 56-vjeçar, i cili dyshohet se ka ndezur zjarr në servisin e tij. Si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën pjesë automjetesh dhe pemë ulliri në pronën e një shtetasi tjetër.
Në pranga përfundoi edhe një 49-vjeçar nga fshati Golem, i cili dyshohet se i vuri flakën mbeturinave në tokën e tij, por zjarri doli jashtë kontrollit, duke djegur një sipërfaqe me bimësi të egër dhe kanale vaditëse, si edhe duke rrezikuar disa sera në afërsi.
Sipas Policisë, falë ndërhyrjes së shpejtë të efektivëve dhe shërbimit zjarrfikës, vatrat e zjarrit u shuan pa shkaktuar dëme në banesa apo rrezik për banorët.
Policia e Fierit u bëri apel qytetarëve të shmangin djegien e mbetjeve bujqësore dhe çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, duke kujtuar se përhapja e flakëve mund të sjellë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin.
Njoftimi i plotë i Policisë
"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin D. D., 31 vjeç, banues në fshatin Pojan, Fier, pasi dje, dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij dhe për shkak të erës, zjarri është përhapur me shpejtësi, duke rrezikuar banesat dhe sipërfaqe të mëdha toke në afërsi të Parkut Arkeologjik të Apollonisë.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan shtetasit:
-A. S., 56 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në servisin e tij dhe si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur pjesë automjetesh dhe pemë ulliri në pronën e një shtetasi tjetër;
-D. G., 49 vjeç, banues në fshatin Golem, Lushnjë, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij, për të djegur mbeturinat, por zjarri ka dalë jashtë kontrollit, duke djegur një sipërfaqe toke me bimësi të egër dhe kanale vaditëse, si dhe ka rrezikuar djegien e disa serave në afërsi.
Falë reagimit të shpejtë të shërbimeve të Policisë dhe shërbimeve zjarrfikëse, u bë e mundur shuarja e vatrave të zjarrit, pa shkaktuar dëme në banesa apo te banorët.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, pasi pasojat mund të jenë të rënda për jetën e njerëzve, pronën dhe mjedisin.
Në mënyrë të veçantë, Policia apelon për banorët që djegin mbetje bujqësore apo kryejnë pastrimin e tokave dhe territoreve nëpërmjet djegies, që të shmangin këto praktika, pasi ato mund të shkaktojnë përhapjen e pakontrolluar të zjarreve"
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë pak minuta më parë në afërsi të kodrave të Parkut Arkeologjik të Apolonisë, në zonën e Fierit.
Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë përfshirë shkurre, bimësi dhe ullishte si dhe shqetësim ka paraqitur fakti se në afërsi të zonës ndodhen banesa.
Raportohet se në vendngjarje ka mbërritur zjarrfikësja e parë dhe po punohet për vënien nën kontroll të situatës dhe izolimin e vatrës.
Ndërkohë banorët shprehen të pikëlluar dhe sipas tyre zjarrvënia ishte e qëllimshme.
“Nuk e di pse ndodhin këto gjëra. Ka fërkime me njëri-tjetrin në këto familjet këtu. Është zjarrëvënie e qëllimshme. Unë u kam bërë hysmet atyre ullinjve. Janë goxha shumë familje që rrezikojë në humbjen e këtyre sipërfqeve me ullinj”-shprehet një i moshuar.
Mes dëshpërimit ata shohin ullinjtë dhjetravjecare teksa shkrumbohen para syve te tyre.
“Janë 10 vjecarë, tërë ajo është e imja 4 qerret u dogjën. Se nga erdhi flaka një zot e di. Shumë keq, është gjynah ti shikosh me sy. Kisha 400 rrënjë ullinj. Vetëm pak kanë ngelur.”- rrëfen njëri prej tyre.
Sipas tyre, me ullinjtë nxirrni bukën e gojës dhe se aty kishin shpresat për një ekonomi më të mirë.
“Më ka ndikuar shumë ekonomikisht, pasi ishin dhe me kokrra. Gjynah, aty i kishim shpresat,te ullinjtë.”-përfundon banori.
Ndërkohë situata vijon të monitorohet, ndërsa pritet ndërhyrja e forcave të tjera zjarrfikëse për të parandaluar përhapjen e flakëve.









