Pas rreth 5 orësh operacion, zjarri në fshatin Piraj të Lezhës është arritur të vihet nën kontroll. Flakët kanë prekur një pjesë të konsiderueshme të fshatit, duke shkaktuar panik te banorët, të cilët përjetuan momente të frikshme teksa zjarri iu afrua banesave.
Forcat zjarrfikëse vijojnë të jenë në terren për shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit dhe për të parandaluar riaktivizimin e flakëve.
"Zjarri ka filluar në orën 11:00. Zjarri ka ardhur andej nga fshatrat andej sipër, nga fshatrat e Troshanit dhe për 20 minuta ka mbërritur në fshatin Piraj. Dëme shumë të mëdha. Dy shtëpi janë djegur. Shkaku i zjarrit dihet. Se kush është personi që e djeg, nuk e dimë", tha një banore e zonës.
Nga ana tjetër, prefekti i qarkut Lezhë, Taulant Malshi, bën me dije se në operacion pati një angazhim të gjerë të strukturave dhe forcave në terren, duke bërë të mundur minimizimin e pasojave.
"U njoftuam për një zjarr në shkurre dhe në afërsi të linjës hekurudhore. Situata ishte e vështirë dhe precipitoi shumë shpejt. Reagimi i të gjitha strukturave të zjarrfikëseve të Bashkisë së Lezhës, por edhe të bashkive fqinje ishte i shpejtë. U arrit që të eliminohej rreziku në disa banesa që rrezikoheshin seriozisht. Ndërkohë që i gjithë operacioni u mbështet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile përmes ndërhyrjes nga ajri. Zjarri është vënë plotësisht nën kontroll, përveç disa vatrave të vogla në brendësi të fushës, të cilat janë drejt shuarjes së plotë", tha prefekti i Qarkut Lezhë, Taulant Malshi.
Nga zjarri janë djegur dy shtëpi të pabanuara, një kasolle bagëtish, sipërfaqe të mëdha me pemë, si dhe është dëmtuar linja hekurudhore.
Lajmi kryesor:
Vendi s’gjen qetësi, zjarr në Gramëz të Krujës, flakët mbërrijnë deri në aksin Thumanë-Kashar! Vatra në Lezhë rrezikojnë banesat (VIDEO)









