Kosovë - Dhjetëra mijëra njerëz mbushën sot sheshet kryesore të Prishtinës në një protest kombëtare për të shprehur mospajtimin me dënimin me burgim të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovëspër krime lufte nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë muajin e kaluar.

E organizuar nga platforma Liria ka emër, pjesëmarrësit në protest kërkuan nga institucionet që të ndëmarrin sa më shpejt hapat për ndryshimin e ligjit për specialen.

Ish-kreu i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj, tha se Qeveria duhet ta kthejë sa më shpejt në Kuvend për miratim plotësim-ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale para datës 6 tetor.

Përfaqësuesi i “Liria Ka Emër”, Ismail Tasholli, gjatë fjalës së tij tha se liria nuk ka parti politike.

"Jemi mbledhur sot me sebep të madh. Jemi mbledhur për ju. Jemi mbledhur për UÇK-në.  Jemi bë bashkë për të çuar mesazh të rëndësishëm. S’u bëmë bashkë për shkak të partive, jo për shkak të mitingjeve të caktuara, por për ju sepse varri i dëshmorit nuk ka parti politike dhe liria nuk ka parti politike.

Secili brez dha djersën. Themeli është i shumë gjeneratave. UÇK-ja është boshti kurrizor i saj. Nëse UÇK-ja sulmohet në mënyrën se qysh sot po na servohet si drejtësi kemi arsye të madhe që të themi se duam drejtësi të barabartë, të drejtë e ato vlera që BE-ja na ka mësuar gjatë gjithë kohës”, tha Tasholli.

Ai ka komentuar edhe vizitën e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Kosovë

“Ne i themi që besojmë në vlerat e Evropës, por nuk besojmë në dystandardësi kur flitet për drejtësi. I themi: Jo në emrin tonë”, shtoi ai.

Më 16 shtator Dhomat e Specializuara në Hagë dënuan me nga 25 vite burg Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, me 18 vite Kadri Veselin dhe me 13 vite Rexhep Selimin për krime lufte.

Për Hashim Thaçin, trupi gjykues se ai ishte "anëtar kyç" në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal, inkurajoi krimet ndaj kundërshtarëve, kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh dhe nuk ndërmori hapa për t'i parandaluar apo ndëshkuar.

Për Kadri Veselin, gjykata tha se ai ishte figurë kyçe në zbatimin e këtij plani, kontribuoi në identifikimin dhe neutralizimin e personave të konsideruar të dyshimtë dhe "mori pjesë dhe inkurajoi krimet".

Për Jakup Krasniqin, trupi gjykues tha se ai përdori rolin e tij si zëdhënës i UÇK-së për të promovuar politikën e shënjestrimit të kundërshtarëve, emëroi persona besnikë në pozita kyçe dhe nuk ndërhyri për të parandaluar krimet, megjithëse kishte dijeni për to.

Ndërsa për Rexhep Selimin, gjykata tha se ai inkurajoi dhe mori pjesë në kryerjen e krimeve, kishte dijeni për keqtrajtimet dhe vrasjet, por nuk ndërmori masa për t'i parandaluar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:18
Pas protestës në Prishtinë, fëmijët e dëshmorëve dorëzojnë në Qeveri projektligjin për Dhomat e Specializuara

Protesta “Jo në emrin tim”, e mbajtur këtë të enjte në Prishtinë kundër dënimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara, përfundoi pas disa orësh.

Në përfundim të tubimit, 120 pako me projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara u dorëzuan në objektin e Qeverisë së Kosovës.

Pakot u dërguan nga Çlirim Haziri dhe fëmijët e dëshmorëve.

Pas përfundimit të protestës, qytetarët u shpërndanë në mënyrë të qetë.

Ora 17:03
'Babai im nuk dha jetën që ne të heshtim', vajza e dëshmorit Lec Gradica mesazh nga protesta në Prishtinë: Drejtësia s'duhet të ketë standarde të dyfishta

Lavdie Gradica, vajza e dëshmorit dhe mjekut të luftës Dr. Lec Gradica, mbajti fjalën në protestën “Jo në emrin tim”, të organizuar në Prishtinë kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së duke apeluar për një drejtësi jo me standarde të dyfishta. 

“Babai im ishte mjek në luftë. Ishte aty për t’i shpëtuar jetët e të plagosurve, për t’i ndihmuar njerëzit dhe për t’i shërbyer popullit të tij... Babi mori përsipër dhe e themeloi Spitalin Ushtarak të Gradicës, spital në të cilin u shëruan shumë plagë lirie. Babai im nuk dha jetën që ne të heshtim. Ai dha jetën për një Kosovë ku e vërteta të mos frikësohet, ku drejtësia të mos ketë standarde të dyfishta dhe ku sakrifica e atyre që luftuan për lirinë të mos barazohet me krimin e gjenocidin. Ne e respektojmë drejtësinë. Por drejtësia duhet të jetë e drejtë... Ne nuk kërkojmë privilegj. Ne nuk kërkojmë hakmarrje. Ne kërkojmë drejtësi”, deklaroi ajo në fjalën e saj.

Ora 16:57
Protesta kundër vendimit të Hagës, tensione në Prishtinë! Ndërhyn Hysni Gucati për të qetësuar situatën

Situata në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë u tensionua përkohësisht gjatë zhvillimit të protestës “Jo në emrin tim”, të organizuar kundër vendimit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mes protestuesve ndërhyri përfaqësuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, i cili u angazhua për të qetësuar situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve mes të pranishmëve.

Ora 16:50
Protesta në Prishtinë, nënkryetari i OVL apel ndërkombëtarëve: Hiqeni këtë njollë për ne dhe për ju

Gazmend Syla nënkryetari i OVL e UÇK-së, tha gjatë fjalës së tij në protestën që po mbahet në Prishtinë se dënimi i ish-krerëve është një njollë për Kosovën por edhe për ndërkombëtarët. 

“Ne jemi edhe anëtarë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale nga 16 shtatori. Një Gjykatë që nuk e di çka ka ndodhur këtu në vitin 98-99, turpi i mbuloftë kudo që janë ata. Nga ky shesh ju themi (nërkombëtarëve) hiqeni këtë njollë prej jush edhe prej nesh. Hiqeni përmes Apelit. Si mund të jenë me të rëndësishme dëshmitë prej Serbisë se dëshmitë e zyrtarëve ndërkombëtarë”, tha Syla.

Ora 16:45
Jo në emrin tim', familjarët e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit i bashkohen protestës në Prishtinë

Familjarët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit janë bërë pjesë e protestës “Jo në emrin tim”, e cila po zhvillohet pasditen e kësaj të enjteje në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Në mesin e të pranishmëve janë parë familjarë të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët janë dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Protesta, e organizuar nga platforma “Liria Ka Emër”, ka nisur në orën 16:00 dhe po mbahet nën moton “Jo në emrin tim”, në kundërshtim me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.