POLITIKË /

Vihet në punë spitali i ri i Kardiokirurgjisë, Rama: Nuk ka më kufizim në buxhetin e 2027 për QSUT-në

Shkruar nga Versus

Vihet në punë spitali i ri i Kardiokirurgjisë, Rama: Nuk ka

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është vënë në funksion spitali i ri i Kardiokirurgjisë, një strukturë e re e pajisur me ambiente dhe shërbime moderne, e konceptuar për të garantuar standarde më të larta të kujdesit për pacientët.

Gjatë inspektimit të ambienteve të reja, Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, u njohën nga afër me kapacitetet dhe organizimin e shërbimeve të Kardiokirurgjisë, si dhe me ndërhyrjet e kryera në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës spitalore.

Kryeministri, nga ana e tij tha se, “e vërteta është që investimet në QSUT në tërësinë e tyre janë kryer dhe ajo që është e qartë nga ana ime është që nuk duhet të kemi më kufizim në buxhetin e QSUT-së për sa i përket kompletimit të nevojave dhe do duhet t'i adresojmë të gjitha me buxhetin e vitit 2027. Kjo është ambicia.

E dyta që diskutuam edhe më parë është që me përfundimin e parkimit të madh me 1400 vende në hyrje, përfundimisht ne i heqim të gjitha makinat nga territori i spitalit. Aty me sa unë kuptova janë 900 makina të personelit dhe mbeten edhe 500 vende të tjera që janë të ardhura dytësore për spitalin. Ndërkohë që gjithë territorin e spitalit do ta kthejmë në një park shumë të bukur për të cilin do punojmë tani edhe të cilin besoj do ta realizojmë në harkun e dy vjetëve. Kjo është e rëndësishme dhe e treta jemi duke vazhduar të diskutojmë për partneritetin e spitalit me një strukturë tjetër shumë të njohur.

Kemi disa opsione, por diskutimet vazhdojnë dhe besoj që shumë shpejt do arrijmë të ndërtojmë këtë partneritet i cili do konsistojë në një menaxhim të spitalit dhe në një ndërveprim të spitalit me strukturën partnere ku mjekët do jenë në një program bashkëpunimi. Mjekët e spitalit tonë do shkojnë atje.

Mjekët e spitalit atje do vijnë këtu. Pra jo thjesht vizita pune, por një strukturë që administrohet me standardet e ekselencës edhe që do të na do të na japi shumë dorë pastaj për të pasur qartësi edhe për autonominë financiare që hyn në fuqi vitin e ardhshëm. Pjesë e këtij plani është edhe ndërtimi i një strukture private brenda spitalit, e cila do të jetë një strukturë ku ju të punoni paralelisht dhe që të sjellë dhe një rritje të domethënëse dhe të të ardhurave tuaja. Ky është plani. Jemi në negociata. Ministrja po bën diskutimet. Kemi goxha arsye të jemi optimistë”.

Investimet në QSUT do të vijojnë edhe në fazat e ardhshme, me synimin për të adresuar nevojat e strukturës spitalore dhe për të përmirësuar më tej kushtet e ofrimit të shërbimit për pacientët dhe stafin./Versus.al

 

Poll