
Një parkim i madh me 1,400 vende pritet të ndërtohet në hyrje të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, me synimin për të larguar automjetet nga hapësirat e brendshme të kompleksit spitalor.
Gjatë vizitës në spitalin e ri të Kardiokirurgjisë, kryeministri Edi Rama deklaroi se rreth 900 vende do të përdoren për automjetet e personelit, ndërsa 500 vendet e tjera mund të krijojnë të ardhura shtesë për QSUT-në.
“Me përfundimin e parkimit të madh me 1,400 vende në hyrje, përfundimisht ne i heqim të gjitha makinat nga territori i spitalit”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, pas largimit të makinave, hapësira e brendshme e QSUT-së do të transformohet në një park. Projekti, sipas tij, synohet të përfundojë brenda dy viteve./Versus.al

