Këtë pasdite një zjarr i madh ka përfshirë venddepozitimin e mbetjeve të Bashkisë Bulqizë, mbi fshatin Plan i Bardhë, në Bashkinë Klos. Ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit, ndërsa tymi i zi i shkaktuar nga djegia e mbetjeve plastike, ka mbuluar zonën.
Drejt vendngjarjes janë nisur shërbimet zjarrfikëse të Bashkisë Klos, të cilat po punojnë për shuarjen e flakëve. Situata paraqitet problematike, pasi zjarri rrezikon të përhapet në masivin pyjor me dushqe të fshatit Plan i Bardhë, si dhe të afrohet drejt banesave.
Paraprakisht dyshohet se zjarri mund të jetë i qëllimshëm, ndërsa pritet që autoritetet të nisin hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes. Venddepozitimi i mbetjeve të Bashkisë Bulqizë ndodhet përgjatë aksit rrugor Qafë Buall-Martanesh.
