Reagimi ndaj videove intime, Zhaku: Shqiptarët e kanë humbur sensin e drejtësisë! Vataj: Jemi njerëzit më hipokritë!
Publikimi dhe shpërndarja e videove intime kanë sjellë reagime të forta edhe në opinionin publik.
E ftuar në studion e “Takohemi n’Vizion”, Inida Gjata (Zhaku) tha se situata në të cilën ndodhen vajzat është shumë e rëndë dhe mund të ketë pasoja fatale.
Ajo kritikoi ashpër mënyrën se si publiku i ka trajtuar rastet e tilla, duke thënë se shqiptarët kanë humbur sensin e drejtësisë.
Edhe Mirgit Vataj u ndal te reagimi i publikut pas publikimit të videove, duke e cilësuar këtë si një nga problemet më të mëdha të rasteve të tilla.
Ai kritikoi atë që e cilësoi si hipokrizi dhe gjykim të jetës private të të tjerëve, ndërsa theksoi se secili ka të drejtë të bëjë zgjedhjet e veta.
Pjesë nga intervista:
Inida Gjata: Më vjen shumë keq në situatën ku ndodhen vajzat tani. Kjo është një situatë aq e rëndë sa ka pasoja fatale. Shqiptarët e kanë humbur fare sensin e drejtësisë. Janë bërë shumë të padrejtë. Janë bërë njerëz psikopatë, pa pikë truri në kokë, janë ku i thërret qameti. Ju lutem, njerëz, shkoni bëni terapi, jeni të mbaruar. Njerëzit mendojnë se ato zonjat nuk kanë pikën e talentit, se vetë i duartrokitën. Ku shkoi kjo dashuri? Ky popull ka shumë halle. Ne kemi gjëra shumë të rëndësishme si popull. Ata duhet të mendojnë çmimin e naftës, ujin, dritën, të ardhmen e fëmijëve. Këtë duhet të mendojnë ata. Nuk kanë pse merren a i kemi hapur ne këmbët apo jo për të arritur gjëra në jetë.
Mirgit Vataj: Nuk besoj se personat që kanë marrë pjesë kanë pasur dijeni për kamerat. Fatkeqësia më e madhe është si ka reaguar publiku kur ka parë këto video. Kemi humbur ato normat kur themi që pika më e dobët në familjen tonë është nëna apo motra. Dhe ndërkohë, nënës dhe motrës së dikujt çfarë nuk i bëjmë. Duhet të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit. T’i mbështesim aq sa mundemi. Ne na pëlqejnë kur shohim gjëra të tjera, se krahasojmë veten me ta. Na pëlqen që të futemi në krevatin e të tjerëve. Jemi njerëzit më hipokritë që nuk njohim asnjë parim. Ne thjesht shtojmë dhe rëndojmë pozitën e disa njerëzve, kur në fund të ditës secili ka të drejtë të bëjë çfarë të dojë. Edhe mes adoleshentëve në Shqipëri, filmohen për t’u shantazhuar.
/vizionplus.tv




