SHBA – Agjentët e inteligjencës artificiale të OpenAI dyshohet se kanë nxjerrë të dhëna nga 55 faqe interneti në pronësi të bizneseve, organizatave jofitimprurëse dhe institucioneve qeveritare, ndërsa në disa raste janë përdorur metoda që kanë vështirësuar gjurmimin e aktivitetit.
Mes faqeve të prekura janë ato të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Bursave, Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë dhe Klinikës Mayo.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, hetimi ka evidentuar përdorimin e llogarive të përkohshme të email-it dhe llogarive private përmes shërbimeve të ndryshme online gjatë procesit të mbledhjes së të dhënave. Në disa raste, regjistrat e aktivitetit dyshohet se janë fshirë ose janë bërë të paarritshëm, duke e vështirësuar përcaktimin e saktë të të dhënave që janë marrë nga sistemet.
Studiuesit nuk kanë mundur të përcaktojnë nëse këto veprime kanë qenë të qëllimshme apo rezultat i sjelljes së pakontrolluar të agjentëve gjatë proceseve të testimit.
Rasti ka ngritur shqetësime të reja mbi mënyrën se si agjentët autonomë të inteligjencës artificiale mund të ndërveprojnë me sistemet online, si dhe mbi nivelin e mbikëqyrjes ndaj tyre. Nëse konfirmohet se veprimet kanë qenë të qëllimshme, ato do të përbënin një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si vlerësohen rreziqet e sigurisë kibernetike që lidhen me sistemet e avancuara të inteligjencës artificiale.
OpenAI ka pranuar se reagimi ndaj disa prej incidenteve duhej të ishte më i mirë dhe ka deklaruar se po punon për përmirësimin e procedurave të saj.
Kompania ka theksuar gjithashtu se pjesa më e madhe e aktivitetit të identifikuar lidhej me detyra kërkimore dhe qasje në përmbajtje publike në internet. Ndërkohë, autoritetet dhe studiuesit po shqyrtojnë nëse rastet e evidentuara janë pjesë e një tendence më të gjerë, ku agjentët e inteligjencës artificiale përdoren për mbledhjen automatike të sasive të mëdha të të dhënave.
Hetimi mbetet në zhvillim dhe deri tani nuk është përcaktuar përfundimisht nëse në të gjitha rastet bëhet fjalë për akses të paautorizuar.

