TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një incident i rëndë është regjistruar në fluturimin FZ1073 të Flydubai drejt Tel Avivit, ku bashkëpiloti dyshohet se tentoi të merrte kontrollin e avionit dhe ta rrëzonte atë.
Situata u përshkallëzua në kabinën e pilotëve, ndërsa kapiteni u përpoq të rimerrte kontrollin e avionit. Në përpjekjen për të parandaluar tragjedinë, dyshohet se u përfshinë edhe disa pasagjerë.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, avioni humbi rreth 4 mijë metra lartësi në vetëm 40 sekonda, duke hyrë në një zhytje të fortë. Sipas vlerësimeve të bëra pas incidentit, përleshja mes dy pilotëve mund të ketë shkaktuar edhe çaktivizimin e autopilotit.
Kapiteni arriti të stabilizonte avionin, ndërsa hapja e derës së kabinës u mundësoi pasagjerëve të ndërhynin në situatë. Në bord ndodheshin 174 persona, mes tyre 27 fëmijë.
Sipas informacioneve të deritanishme, pasagjerët arritën ta neutralizonin bashkëpilotit, ndërsa avioni, me një ekuipazh rezervë që mori kontrollin, përfundimisht u ul në Arabinë Saudite.
Hetimi po përqendrohet edhe te mënyra se si bashkëpiloti u përzgjodh dhe iu bashkua ekuipazhit, si dhe te kontrollet e sigurisë dhe të përshtatshmërisë së personelit.
Një tjetër pikë që po shqyrtohet është fakti se bashkëpiloti ishte shtetas i Omanit, ndërsa marrëveshjet për fluturimet drejt Izraelit parashikojnë kërkesa specifike për kombësinë e pilotëve.
Netanyahu: Bashkëpiloti ishte radikalizuar
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se bashkëpiloti i Flydubai-t, i cili dyshohet se u përpoq të merrte kontrollin e avionit me destinacion Tel Avivin, kishte pësuar radikalizim islamik.
“Ne e dimë se ai i është nënshtruar indoktrinimit radikal islamik”, tha Netanyahu duke folur për emisionin “Fox & Friends”, ndërsa shtoi se brenda pak ditësh mund të ketë një pamje nëse bashkëkapiteni kishte lidhje me Iranin.
“Mendoj se është shumë herët për të thënë nëse ai kishte ndonjë lidhje me Iranin apo me dikë tjetër”, tha ai.
Megjithatë, motivi për incidentin e rëndë që ndodhi të mërkurën gjatë fluturimit nga Dubai në Tel Aviv nuk është përcaktuar ende.
Netanyahu tha gjithashtu se dyshohet që gjatë incidentit bashkëpiloti kishte shprehur qëllime vetëvrasëse, por theksoi se hetimi ende nuk ka përcaktuar një motiv përfundimtar.
Ndërkohë, janë ngritur dyshime edhe për sjelljen e tij të mëparshme. Sipas dëshmive të bëra publike, ai kishte shfaqur qëndrime të forta fetare, ndërsa ishte punësuar nga Flydubai vetëm disa muaj përpara incidentit.
Autoritetet izraelite dhe ato të Emirateve të Bashkuara Arabe po vijojnë hetimet për të përcaktuar nëse bëhej fjalë për një veprim të vetmuar apo nëse bashkëpiloti kishte lidhje me ndonjë organizatë ose plan të paramenduar.
Ngjarja ka ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi procedurat e sigurisë dhe kontrollet që u kryhen pilotëve përpara se të marrin pjesë në fluturime.