Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka kërkuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen,mbështetje për avancimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se vendi i plotëson kriteret për statusin e kandidatit dhe hapjen e negociatave.
“Që nga takimi ynë i parë, Kosova ka shënuar përparim të qëndrueshëm në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut”, u shpreh Kurti në konferencën e përbashkët me von der Leyen,
Sipas tij, Kosova ka pasur një nga rritjet më të shpejta të treguesve demokratikë në rajon, ndërsa ekonomia vazhdon të rritet me rreth 4% në vit dhe borxhi publik mbetet ndër më të ulëtit në Evropë. Ai shtoi se vendi është plotësisht i harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë.
Kurti tha gjithashtu se Qeveria ka miratuar dhjetë nga 12 ligjet e Planit të Rritjes që kishin afat në qershor dhe paralajmëroi se vonesat në Kuvend mund të rrezikojnë fondet evropiane të dedikuara për reformat.
Duke folur për kërkesat që i parashtroi Von der Leyen, ai tha se ka kërkuar anëtarësimin e Kosovës në Konventën për Tranzitin e Përbashkët, si dhe integrimin në organizatat evropiane të standardizimit dhe në kornizën evropiane të akreditimit.
“Këta hapa do të mundësonin qarkullimin më të shpejtë dhe me kosto më të ulët të mallrave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si dhe do të lehtësonin qasjen e bizneseve kosovare në tregun unik evropian”, tha Kurti.
Lajmi kryesor:
Verdikti ndaj ish krerëve të UÇK-së, Von der Leyen nga Prishtina: Aktgjykimi i Hagës duhet respektuar, historia e Kosovës nuk rishkruhet! Kurti: Presim korrigjimin e gabimeve në Apel










