Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha nga Prishtina se stabiliteti institucional është kusht për përparimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, ndërsa theksoi se hapi i radhës pas krijimit të institucioneve është zgjedhja e Presidentit.
“Kuvendi dhe qeveria janë themeluar, kjo është mirë. Hapi i radhës është zgjedhja e presidentit apo presidentes. Stabiliteti institucional është themeli i gjithçkaje për reforma, për rritje dhe për përparim në rrugëtimin tuaj drejt BE-së”, deklaroi Von der Leyen.
Ajo ritheksoi mbështetjen e Bashkimit Evropian për perspektivën evropiane të Kosovës dhe bëri të ditur se vendi mund të përfitojë deri në 882 milionë euro përmes Planit të Rritjes, ndërsa deri tani ka marrë 62 milionë euro parafinancim.
“Plani i Rritjes mund t'ju çojë më afër drejt tregut të përbashkët dhe ju duhet ta kapni këtë mundësi”, tha ajo.
Presidentja e Komisionit Evropian u ndal edhe te procesi i roaming-ut dhe anëtarësimi i mundshëm i Kosovës në SEPA.
“Tani keni kryenegociatorin e emëruar dhe shpresojmë që negociatat të fillojnë”, u shpreh ajo për roaming-un, ndërsa shtoi se miratimi i legjislacionit përkatës do t'i hapte Kosovës rrugën drejt anëtarësimit në Zonën e Përbashkët të Pagesave në Euro (SEPA).
Von der Leyen foli edhe për marrëdhëniet mes komuniteteve në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së karakterit multietnik të vendit.
“E ardhmja evropiane e Kosovës varet nga shoqëria që e ndërton. Kosova duhet të ruajë karakterin multietnik, të ndërtojë besimin me komunitetin serb”, deklaroi ajo, duke përfunduar se beson në të ardhmen evropiane të Kosovës.
Lajmi kryesor:
Verdikti ndaj ish krerëve të UÇK-së, Von der Leyen nga Prishtina: Aktgjykimi i Hagës duhet respektuar, historia e Kosovës nuk rishkruhet! Kurti: Presim korrigjimin e gabimeve në Apel










