Klima në Kosovë në vizitën e 6 të Ursula Von Der Leyen, mbizotërohej nga pakënasitë që ka lënë pas dënimi i ish krerëve të uçk në gjykatën speciale në Hagë.

Kjo Presidentes së KE iu bë e qartë që në mbërritjen e saj teksa në rrugën pranë aeroportit të Prishtinës, një grup protestuesish të rinj dolën me pankarta në duar me sloganet e zakonshme tashmë Liria ka emër dhe jo në emrin tim.

Von Der Leyen në Prishtinë takoi së pari Ushtruesen e detyrë së Presidentit, Albulena Haxhiu dhe më pas kreun e qeverisë Albin Kurti.

Në konferencën me shefin e ekzekutivit nuk kishte sesi të mos prekte në mesazhin e saj temën kryesore të aktualitetit dhe pakënaqësitë që kanë lindur pas dënimit të thaçit dhe 3 ish komandantëve të tjerë të UÇK-së.

“Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara ka shkaktuar emocione të fuqishme. E çmoj reagimin tuaj të matur dhe të liderëve politikë që bëjnë thirrje për qetësi. Ky aktgjykim u dha nga një institucion i pavarur gjyqësor dhe mandati i tij duhet të respektohet”, tha Von der Leyen.

Von Der Leyen u kujdes të bënte një përshkrim të dënimit si individual dhe jo një dënim që përlyen luftën e drejtë kolektive për liri në Kosovë. Në një kohë kur ngushtimi I kompetencave të Dhomave Speciale në Kosovë është temë e ditës ajo kërkoi që kjo të mos ndodhë.

"Ky aktgjykim u dha nga institucione të pavarura gjyqësore dhe mandati i tyre duhet të respektohet plotësisht. Por një gjë është e qartë: ky aktgjykim ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të të pandehurve; rezistenca e Kosovës nuk ishte në gjykim dhe ne duhet të nderojmë kujtimin e të gjitha viktimave nga të gjitha komunitetet" tha ajo

Tek aktgjykimi i Dhomave të Specializuara në Hagë, u ndal edhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti I cili evidentoi 3 çështje aty, që sipas tij, duhet të theksohen në arenën ndërkombëtare.

“Pretendimet për të ashtuquajturën shtëpi e verdhë dhe trafikim organesh nuk janë pjesë e aktakuzës, se akuzat për krime kundër njerëzimit dhe sulme të gjera e sistematike ndaj popullsisë civile janë rrëzuar, si dhe se Dhomat e Specializuara kanë theksuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është në gjyq. Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe duhet të shihet e përjetohet si e paanshme”, tha Kurti.

Kurti shprehu shqetësime për konkluzionet e tjera të aktgjykimit dhe dënimet e shqiptuara, për të cilat tha se beson se përmbajnë gabime faktike, historike dhe juridike që duhet të korrigjohen në procedurën e apelit. Ai shtoi se Kosova kërkon drejtësi për të gjitha viktimat e luftës, për çdo krim dhe për çdo kryerës, duke përmendur edhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

"Rreth 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe shumë kryerës nuk janë ndëshkuar. Kosova kërkon drejtësi për çdo viktimë dhe për cdo krim dhe cdo kryerës. Nuk mund të lejojmë barazimin e përgjegjësisë së fajësisë për shkak se dikush dëshiron të krijojë narrativa alternative”, shtoi Kurti.

Presidentja e KE një mesazh ia kushtoi edhe krizës së gjatë institucionale e politike në Kosovë. Ajo kërkoi stabilitet institucional teksa tha se ekzistojnë hapësirat për dialog politik për zgjedhjen e presidentit të ri çka do të evitonte zgjedhjet e reja.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:06
'Stabiliteti institucional është themeli', Von der Leyen apel Kosovës: Zgjidhni presidentin dhe vazhdoni reformat drejt BE-së

 

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha nga Prishtina se stabiliteti institucional është kusht për përparimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, ndërsa theksoi se hapi i radhës pas krijimit të institucioneve është zgjedhja e Presidentit.

“Kuvendi dhe qeveria janë themeluar, kjo është mirë. Hapi i radhës është zgjedhja e presidentit apo presidentes. Stabiliteti institucional është themeli i gjithçkaje për reforma, për rritje dhe për përparim në rrugëtimin tuaj drejt BE-së”, deklaroi Von der Leyen.

Ajo ritheksoi mbështetjen e Bashkimit Evropian për perspektivën evropiane të Kosovës dhe bëri të ditur se vendi mund të përfitojë deri në 882 milionë euro përmes Planit të Rritjes, ndërsa deri tani ka marrë 62 milionë euro parafinancim.

“Plani i Rritjes mund t'ju çojë më afër drejt tregut të përbashkët dhe ju duhet ta kapni këtë mundësi”, tha ajo.

Presidentja e Komisionit Evropian u ndal edhe te procesi i roaming-ut dhe anëtarësimi i mundshëm i Kosovës në SEPA.

“Tani keni kryenegociatorin e emëruar dhe shpresojmë që negociatat të fillojnë”, u shpreh ajo për roaming-un, ndërsa shtoi se miratimi i legjislacionit përkatës do t'i hapte Kosovës rrugën drejt anëtarësimit në Zonën e Përbashkët të Pagesave në Euro (SEPA).

Von der Leyen foli edhe për marrëdhëniet mes komuniteteve në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së karakterit multietnik të vendit.

“E ardhmja evropiane e Kosovës varet nga shoqëria që e ndërton. Kosova duhet të ruajë karakterin multietnik, të ndërtojë besimin me komunitetin serb”, deklaroi ajo, duke përfunduar se beson në të ardhmen evropiane të Kosovës.

Ora 15:00
Kurti kërkon mbështetjen e Von der Leyen: Kosova të anëtarësohet në organizatat evropiane dhe të marrë statusin e kandidatit në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka kërkuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen,mbështetje për avancimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se vendi i plotëson kriteret për statusin e kandidatit dhe hapjen e negociatave.

“Që nga takimi ynë i parë, Kosova ka shënuar përparim të qëndrueshëm në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut”, u shpreh Kurti në konferencën e përbashkët me  von der Leyen,

Sipas tij, Kosova ka pasur një nga rritjet më të shpejta të treguesve demokratikë në rajon, ndërsa ekonomia vazhdon të rritet me rreth 4% në vit dhe borxhi publik mbetet ndër më të ulëtit në Evropë. Ai shtoi se vendi është plotësisht i harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë.

Kurti tha gjithashtu se Qeveria ka miratuar dhjetë nga 12 ligjet e Planit të Rritjes që kishin afat në qershor dhe paralajmëroi se vonesat në Kuvend mund të rrezikojnë fondet evropiane të dedikuara për reformat.

Duke folur për kërkesat që i parashtroi Von der Leyen, ai tha se ka kërkuar anëtarësimin e Kosovës në Konventën për Tranzitin e Përbashkët, si dhe integrimin në organizatat evropiane të standardizimit dhe në kornizën evropiane të akreditimit.

“Këta hapa do të mundësonin qarkullimin më të shpejtë dhe me kosto më të ulët të mallrave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si dhe do të lehtësonin qasjen e bizneseve kosovare në tregun unik evropian”, tha Kurti.