Përplasja mes GJKKO-së dhe Dhomës së Avokatisë, që ka çuar në bojkotimin e seancave nga avokatët, do të çohet nga Partia e Lirisë në Kuvend. Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, njoftoi se të premten do të paraqesë një kërkesë të re në Parlament, duke e lidhur konfliktin mes dy institucioneve me shtyrjen e procesit ndaj Ilir Metës dhe pezullimin e afateve të paraburgimit të tij.
Blushi pretendon se përplasja mes GJKKO-së së Shkallës së Parë dhe Dhomës së Avokatisë është e qëllimshme dhe se, në rastin e Metës, po përdoret për të zgjatur qëndrimin e tij në paraburgim. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe Ergys Agasin se qëndrojnë pas kësaj situate.
"E vërteta duhet thënë troç. Konflikti i qëllimshëm, i nxitur nga Edi Rama dhe Ergys Agasi, ndërmjet GJKKO-së së Shkallës së Parë dhe Dhomës së Avokatisë, është stisur posaçërisht për të zgjatur mbajtjen në izolim çnjerëzor politik të Ilir Metës, liderit të forcës së dytë opozitare ne vend. Ky konflikt i qëllimtë po ndikon gjithashtu në ushtrimin efektiv të së drejtës së mbrojtjes dhe në garantimin e një procesi të rregullt ligjor edhe për të gjithë të paraburgosurit e tjerë. Në rastin e Ilir Metës, qëllimi është i mirëfilltë politik dhe kriminal. Të mbahet me çdo kusht në burgim politik, duke i pezulluar afatet, sepse kështu kanë rënë dakord Edi Rama dhe Ergys Agasi. Kjo skemë mafioze fëlliqësirë nuk mund të tolerohet dhe aq më pak të shndërrohet në instrument persekucioni politik. Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të heshtë dhe as të qëndrojë spektator. Heshtja përballë një situate të tillë do të thotë bashkëfajësi. Nesër do të paraqes një kërkesë të re në Kuvend për marrjen e menjëhershme të masave dhe për thirrjen e institucioneve përgjegjëse, me qëllim dhënien fund të konfliktit të stisur, sqarimin e plotë të kësaj situate dhe garantimin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor për çdo të paraburgosur. Koha kërkon përgjegjësi, transparencë dhe veprim kushtetues. Çdo deputet i Kuvendit të Shqipërisë duhet të përballet me përgjegjësinë e tij për t'i dhënë fund një tjetër akti mafioz të "Drejtësisë me Regji" që hedh në erë procesin e rregullt ligjor penal për çdo të paraburgosur"
Reagimi vjen pak orë pasi seanca ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhit u shty sërish për shkak të bojkotit të avokatëve. GJKKO vendosi gjithashtu pezullimin e afateve të paraburgimit për Metën, ndërsa avokatët që nuk u paraqitën në seancë u gjobitën.
Lajmi kryesor:
Bojkoti ndaj rregullores së GJKKO, dështon sërish gjyqi ‘Meta’! Avokatët gjobë 5 mijë lekë (të rinj), kreu i PL: Situata me porosi të Agasit që të më penalizojnë (VIDEO)








