Disa zona të vendit janë përfshirë nga zjarre të përmasave të mëdha, duke shkaktuar dëme në sipërfaqe pyjore, ullishte, pemëtore dhe banesa. Forcat zjarrfikëse vijojnë ndërhyrjen në terren, ndërsa era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve dhe po vështirëson operacionet e shuarjes.

Peqin, rreth 20 hektarë nën flakë
Situata paraqitet e vështirë në fshatrat Galush dhe Gjevurtë të Peqinit, ku një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë rreth 20 hektarë me ullishte, pemëtore dhe shkurre.
Flakët janë përhapur me shpejtësi, duke krijuar disa vatra të mëdha. Për përballimin e situatës janë mobilizuar dhjetëra efektivë zjarrfikës dhe mjete nga Peqini dhe bashkitë përreth.
Në operacion janë angazhuar edhe dy helikopterë, të cilët po ndërhyjnë nga ajri për të frenuar përhapjen e flakëve.
Vëmendja kryesore e strukturave të emergjencës është përqendruar në mbrojtjen e banesave dhe banorëve, pasi vatrat ndodhen pranë zonave të banuara. Era e fortë dhe terreni i vështirë po e komplikojnë ndërhyrjen, ndërsa ekipet po punojnë për izolimin e vatrave dhe krijimin e barrierave për të ndaluar avancimin e zjarrit.

Lezhë, digjen dy banesa dhe një kasolle
Një tjetër situatë problematike raportohet në zonën e Pirajt në Lezhë, ku zjarri ka përfshirë dy banesa dhe një kasolle bagëtish.
Flakët janë shfaqur gjatë orëve të drekës dhe janë përhapur me shpejtësi për shkak të erës së fortë.
Në terren janë angazhuar forca të shumta zjarrfikëse nga Lezha, Vau i Dejës, Kamza dhe Mirdita. Ekipet po punojnë për izolimin e zjarrit dhe për të parandaluar përhapjen e flakëve drejt banesave të tjera dhe zonave të banuara.
Në zonë ndodhen edhe forcat e Policisë së Shtetit, të cilat po monitorojnë situatën dhe do të hetojnë shkaqet e rënies së zjarrit.
Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar. Ndërkohë, vijon puna për shuarjen e flakëve dhe vlerësimin e dëmeve materiale.
Bulqizë, zjarr në vend-depozitimin e mbetjeve
Prej rreth orës 15:00, flakët kanë përfshirë edhe vend-depozitimin e mbetjeve që shërben për bashkitë Bulqizë dhe Klos.
Vendi i depozitimit ndodhet pranë aksit nacional Bulqizë–Martanesh. Zjarri ka shkaktuar re të dendura tymi, të cilat janë përhapur në zonën përreth.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse të Bashkive Bulqizë dhe Klos. Forcat po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve dhe shuarjen e plotë të zjarrit./Versus.al

