Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, rikonfirmoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për një Ballkan Perëndimor më të sigurt, më konkurrues dhe më të ndërlidhur. Ai mori pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit, të mbajtur në Pržno, Mali i Zi.
Duke theksuar se siguria e Ballkanit Perëndimor dhe siguria e Evropës janë të pandashme, Hoxha nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit më të fortë, unitetit më të madh dhe një Evrope më të qëndrueshme e më të aftë për t’u përballur me sfidat e përbashkëta.
“Për ne, kjo ka një emër: zgjerimi. Jo si një favor apo shpërblim, por si një proces i bazuar në merita dhe i mbështetur në reforma kuptimplota e me ndikim, duke qenë njëkohësisht një investim strategjik për sigurinë, stabilitetin dhe konkurrueshmërinë afatgjatë të Evropës.”
Ministri Ferit Hoxha theksoi gjithashtu se integrimi evropian fillon në shtëpi, përmes bashkëpunimit praktik, lëvizshmërisë, ndërlidhjes, njohjes së ndërsjellë të diplomave dhe Tregut të Përbashkët Rajonal, duke sjellë rezultate konkrete për qytetarët dhe duke afruar më tej shoqëritë e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
