“Pezullojeni Territorialen”, Veliaj letër Kuvendit: Kjo reformë nuk gëzon garancitë kushtetuese

Nga A2 CNN
1 Tetor 2026, 18:03 | Politikë

Këshilli Bashkiak i kryeqyetit i dha dritën jeshile projektit të PS për ta ndarë territorin në 46 bashki, por ndryshe mendon kryetari Erion Veliaj nga qelia e paraburgimit, duke rënë në kontradiktë.

Erion Veliaj, me një letër drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, i kërkon shumicës politike që i përket që të mos e miratojë Reformën Territoriale pa u konsultuar me qytetarët e Tiranës: “Të pezullohet vijimi i shqyrtimit përfundimtar të projektligjit deri në zhvillimin dhe dokumentimin e konsultimit real, paraprak dhe efektiv të popullsive të prekura. Vlerësoj se projektligji, në formën dhe në fazën procedurale në të cilën më është përcjellë, nuk ofron ende të gjitha garancitë dhe elementet normative të nevojshme për miratimin e një reforme me këtë rëndësi kushtetuese”.

Erion Veliaj nuk është kundër ndryshimit të territorit, por është i habitur me socialistët se si kanë planifikuar që kompetencat të bëhen në një moment të dytë. Sipas tij, në këtë mënyrë krijohen pasiguri në njësitë vendore: “Nuk mund të vendosim sot kufijtë dhe nesër të vendosim se si do të qeveriset territori që krijuam sot. Është funksioni publik, demokracia vendore dhe interesi i komunitetit që duhet të përcaktojnë territorin optimal dhe jo territori i paracaktuar ai që më pas i imponon ligjvënësit funksionet, institucionet dhe përfaqësimin. Elementet që kushtëzojnë funksionimin e hartës së re duhet të përkthehen në dispozita të qarta, të detyrueshme dhe të zbatueshme”.

Në argumentin e tij, Veliaj ndalet specifikisht edhe te bashkia që drejton, e cila me propozimin e PS merr nën administrim edhe aeroportin e Rinast. Veliaj është i paqartë nga drafti i Maznikut: “Për Bashkinë Tiranë, projektligji ka pasoja të drejtpërdrejta, sepse parashikon përfshirjen e njësisë administrative Rinas në territorin e saj. Duhet t’i vihet në dispozicion një vlerësim i posaçëm mbi popullsinë dhe territorin e prekur, kompetencat dhe shërbimet që do të transferohen, pasuritë dhe detyrimet, ndikimin mbi të ardhurat dhe shpenzimet vendore, personelin, planifikimin e territorit dhe vazhdimësinë e shërbimeve publike”.

Veliaj kritikon nën rreshta ish-nënkryetarin e bashkisë, sot nismëtar i projektligjit të Reformës Terriotirale se shumë pikëpyetje mbeten, edhe për përfaqësimin zgjedhor të qyteteve. Ndërsa Edi Ramës i kërkon që për një reformë kaq thelbësore, nuk janë të rëndësishme vetëm kartonët në Parlament.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos