AKTUALITET /

Siguria dhe lufta ndaj paligjshmërisë, Demo mbledh drejtuesit e Policisë në qarqe

Ministri kërkoi përdorimin e inteligjencës policore dhe ndërhyrje të befasishme për identifikimin dhe kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri.

Shkruar nga Versus

Siguria dhe lufta ndaj paligjshmërisë, Demo mbledh drejtuesit e

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka mbledhur drejtuesit e Policisë së Shtetit në qendër dhe në qarqe, me fokus situatën e sigurisë dhe masat për parandalimin e kriminalitetit në territor.

Gjatë takimit, Demo kërkoi një pasqyrë të detajuar dhe të përditësuar të situatës kriminale, me vëmendje të veçantë ndaj zonave me risk, aktivitetit kriminal në fushën e narkotikëve dhe lojërave të fatit, si dhe personave në kërkim.

Një nga çështjet kryesore të diskutimit ishte armëmbajtja pa leje. Ministri kërkoi përdorimin e inteligjencës policore dhe ndërhyrje të befasishme për identifikimin dhe kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri.

Në takim u diskutua edhe zbatimi i Paketës së Sigurisë në Shkolla. Demo kërkoi angazhim maksimal të strukturave të Policisë për garantimin e sigurisë së nxënësve brenda dhe përreth institucioneve arsimore.

Ministri u kërkoi drejtuesve vendorë të jenë në krye të shërbimeve në terren dhe të ndjekin drejtpërdrejt problematikat e zonave që mbulojnë. Sipas tij, shërbimi ndaj qytetarëve, etika në komunikim dhe reagimi ndaj shqetësimeve të tyre janë elementë të rëndësishëm për rritjen e besimit te Policia e Shtetit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, falënderoi ministrin Demo për mbështetjen dhe deklaroi se strukturat e Policisë do të vijojnë punën në bashkëpunim me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit dhe qytetarët./Versus.al

Poll