“Historia nuk rishkruhet, prisni Apelin” BE mbron Gjykatën Speciale, Kurti e dënon dhe kërkon integrimin

Nga Xhevahir Qardaku
1 Tetor 2026, 18:08 | Politikë

Kosovën e vizitoi në kohë vendimtare. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, u prit në kryeministri nga Albin Kurti, ndërsa temat kryesore të bisedës ishin: integrimi, aktgjykimi i Hagës dhe kriza politike. Në konferencën për shtyp, shefi i qeverisë pati një kërkesë të drejtpërdrejtë:

“Kosova i plotëson kriteret për statusin e vendit kandidat dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Natyrisht, sfida ka gjithmonë dhe në këtë botë të re nuk mungojnë sfidat e reja. Por përparimi ynë është i qartë. Zonja presidente, llogarisim në mbështetjen tuaj që të flisni hapur për nevojën e Kosovës që t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe që t’i bëni thirrje Këshillit të kërkojë opinionin e Komisionit për aplikimin tonë”, theksoi kryeministri Kurti.

Por liderja e Bashkimit Europian i përmendi disa detyra për të përmbushur, ndër to dhe stabiliteti institucional.

“Kuvendi dhe qeveria janë themeluar dhe kjo është mirë. Hapi i radhës është zgjedhja e presidentit apo presidentes. Po vërejmë që dialogu mes partive politike është i mundur dhe se ju duhet të vazhdoni në këtë drejtim. Stabiliteti institucional është themeli i gjithçka për reforma, rritje dhe rrugëtimin drejt BE-së.”

Çështja që i përplasi ishte ajo e dënimit të ish krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë me 81 vite burg. Kurti tha se nuk mund të barazohet viktima me agresorin dhe se nuk janë provuar akuzat për Shtëpinë e Verdhë, krime kundër njerëzimit, gjithashtu u konfirmua se UÇK nuk është në gjyq. Von der Leyen konfirmoi se historia e Kosovës nuk mund të ndryshohet, por mbrojti Gjykatën Speciale.

“Kemi shqetësime serioze për konkludime të tjera dhe për dënimet e rënda. Besojmë se ato përmbajnë gabime faktike, historike dhe juridike, dhe presim që këto të korrigjohen në apel. Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe duhet të shihet e përjetohet si e paanshme”, tha Kurti.

“Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara ka shkaktuar emocione të forta. E vlerësoj reagimin tuaj të matur, si dhe atë të liderëve të tjerë politikë, të cilët kanë bërë thirrje për qetësi. Ky aktgjykim është nxjerrë nga institucione të pavarura gjyqësore dhe mandati i tyre duhet të respektohet plotësisht. Të akuzuarit tani kanë të drejtë të ushtrojnë ankesë”, u shpreh Von der Leyen.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, presidentja e Komisionit Europian u prit në zyrë dhe nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiut, e cila gjithashtu I shprehu shqetësimin për aktgjykimit dënues në Hagë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos