Studio daneze BIG, Bjarke Ingels Group ka propozuar një ndërtesë tridimensionale të ngritur mbi nivelin e tokës, me volume që synojnë të lirojnë sa më shumë hapësirën e parkut dhe ta mbajnë atë të aksesueshme për publikun.
Koncepti mbështetet te ideja e një “reje”, me hapësira për banim dhe punë të ngritura mbi tokë. Poshtë tyre krijohen zona të mbuluara, hije dhe hapësira publike, të menduara edhe si një hyrje e re e Parkut Rinia në raport me qytetin.
Projekti parashikon ruajtjen e ujit dhe të shatërvanit si pjesë të identitetit të zonës, por i trajton ato në një formë të re.
BIG propozon ngritjen e ujit në strukturë, në mënyrë që ai të rikthehet në park me efektin e një “shiu vere”.
Sipas studios, ky element synon të ndikojë edhe në mikroklimën lokale dhe në përdorimin e hapësirës publike gjatë muajve të nxehtë.
Gjatë prezantimit, studio e përshkroi Parkun Rinia si një hapësirë ku ndërthuren disa rrjete-gjelbërimi, uji dhe aktiviteti social, dhe propozimi është ndërtuar mbi idenë që ndërtesa të shtojë funksione të reja pa marrë më shumë sipërfaqe nga parku.
Studio synon gjithashtu krijimin e një pike të re të identifikueshme në qytet, jo përmes lartësisë, por përmes formës dhe mënyrës se si ndërtesa lidhet me hapësirën publike.
Sipërfaqet e projektit janë ndarë mes rezidencave, hotelerisë dhe zyrave, ndërsa rreth 10% e programit parashikohet për një komponent kulturor dhe funksione të hapura për publikun.
Lini një Përgjigje