Juristja Alesia Balliu dhe avokati Altin Kaziaj diskutuan sot në emisionin 'Studio Live' me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, mbi hetimet e SPAK për ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ Shtetëror, i cila ndodhet në 'arrest shtëpie'.

Gjatë fjalës së tij, avokati Kaziaj e cilësoi çështjen si shumë delikate, teksa tha se është cenuar siguria kombëtare dhe interesi madhor i shqiptarëve.

Kaziaj bëri përgjegjës kryeministrin Edi Rama për promovimin dhe emërimin e Hysenit në krye të SHISH. Sipas Kaziajt, Rama e la sigurinë kombëtare në duart e një personi pa identitet.

Marrë shkas nga detajet e zbuluara nga dosja e SPAK, Kaziaj tha se Hyseni ka dhënë çdo informacion të klasifikuar te personat e shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare.

"Çështja e SHISH është një çështje shumë e madhe. Duhet të ishin ndërmarrë veprime pro-aktive të Prokurorisë së Posaçme, por edhe të prokurorive të rretheve, për të zbuluar se çfarë ka ndodhur realisht në këtë aferë. Do të duhet të ishin shqetësuar qytetarët shqiptarë dhe të kishin dalë në protesta masive. Sepse është cenuar siguria kombëtare, që është siguria e gjithë qytetarëve shqiptarë dhe interesi madhor i qytetarëve shqiptarë. Drejtoresha e SHISH ishte promovuar nga Rama, u emërua nga Rama dhe u soll e u shtetëzua shqiptare nga Rama. E ka ceduar shtetin shqiptar në duar të një personi të tillë pa identitet, e cila ka dhënë çdo informacion të klasifikuar dhe ka punuar, është vënë në shërbim të disa personave të kërkuar, që janë vënë në kërkim nga Prokuroria e Posaçme", tha mes të tjerash Kaziaj.

Ndërkohë, juristja Alesia Balliu tha se reagimi i opozitës për skandalin me SHISH duhet të ishte më i fortë.

Balliu tha se janë vetëm 2-3 deputetë të PD-së që kanë reaguar për këtë çështje, ndërsa pjesa tjetër e opozitës sipas saj, është 'në gjumë'.

Duke thënë se Vlora Hyseni ka cenuar sigurinë Kombëtare, Balliu theksoi gjithashtu se kryeministri Edi Rama dhe kryedemokrati Sali Berisha kanë probleme me drejtësinë.

"Opozita është e gjitha në gjumë përballë këtij skandali të madh që ka ndodhur. Edi Rama nuk duhet të rrinte i qetë dhe nuk duhet ta trajtonte këtë çështje si një çështje periferike. Këtu kemi të bëjmë me sigurinë kombëtare. Problemi nuk është vetëm çfarë ka bërë Vlora Hyseni, por çfarë ka ditur Qeveria. Sepse kjo zonjë aty është emëruar nga Edi Rama. Dhe padiskutim nëse Qeveria nuk ka pasur dijeni, i bie që kjo çështje i ka dalë jashtë kontrollit. Dhe këtu kemi të bëjmë me një çështje madhore, sepse këtu cenohet siguria kombëtare, partneritetet me jashtë, pasi roli i saj në krye të SHISH ka të bëjë me një mori gjërash, me kërcënimet, me sigurinë, me lidhjet me jashtë dhe me çdo informacion tjetër, që është informacion konfidencial.

Rama ka një përgjegjësi politike që duhet të dalë para shqiptarëve dhe të bëjë një reagim publik lidhur me këtë. Kjo zonjë ka shfrytëzuar postin shtetëror dhe ka vënë në dukje një problem madhor që ka Shqipëria sot, që personazhe të paidentifikuar marrin poste drejtuese dhe nuk kryejnë punën e caktuar. Këtu e gjithë politika ka probleme me institucionet e drejtësisë. Përmos Hysenit dhe Edi Ramës, ne mund të shohim edhe Berishën që ka nisur prapë të shajë Dumanin dhe të bëjë luftë me prokurorët dhe thotë 'unë jam pro SHBA'. Tani kemi edhe vizitën nesër në datën 2, nëse Berisha do të ketë një ftesë zyrtare për të qenë pjesë, atëherë do kuptojmë nëse ky person i ka rregulluar marrëdhëniet diplomatike me SHBA", tha mes të tjerash Balliu.