VIDEO/ Tela: Paketa e drejtësisë është vendosur të miratohet, konsultimi publik thjesht procedurë

VIDEO/ Tela: Paketa e drejtësisë është vendosur të miratohet, konsultimi publik thjesht procedurë

18:47, 01/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gazetari Andi Tela, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, ka komentuar përplasjen mes ekzekutivit dhe sistemit të drejtësisë, si dhe paketën e re ligjore që pritet të diskutohet në Kuvend.

Tela tha se e ka ndjekur seancën mes ekzekutivit dhe përfaqësuesve të gjyqësorit, duke u ndalur te mënyra e komunikimit dhe qëndrimi i kryeministrit Edi Rama gjatë saj.

Sipas gazetarit, baza e kësaj situate lidhet me mënyrën se si Kushtetuta parashikon miratimin e kodeve kryesore të sistemit të drejtësisë, të cilat kërkojnë 84 vota në Kuvend.

Tela argumentoi se kërkesa për 84 vota është vendosur me synimin për të krijuar nevojën për konsensus mes aktorëve politikë.

Gazetari u ndal te shumica parlamentare dhe te përdorimi i 84 votave edhe në një rast të fundit që, sipas tij, lidhet me sistemin e drejtësisë.  Sipas tij, mënyra e hartimit dhe procedimit të paketës tregon se vendimi për miratimin e saj është marrë paraprakisht.

‘Unë e ndoqa atë ditë seancën e famshme mes ekzekutivit dhe përballë gjyqësorit në një sallë me shumë njerëz.

Toni dhe gjuha e trupit të përdorur nga kryeministri, tregonte fare hapur se ai ishte duke vendosur kornizat për njerëzit që kishte thirrur në sallë. Dhe ku e ka bazën kjo? E ka bazën te fakti që Kodi Penal, Kodi i Procedurës Penale, të gjithë kodet në Republikën e Shqipërisë duhet të votohen në parlament me 84 vota.

Kur është vendosur ky rregull në Kushtetutë, është pasur parasysh që 84 vota është një shumicë e jashtëzakonshme e cila nuk do të arrihej kurrë në një sistem pluralist. Dhe për këtë arsye, ky numër do të kërkonte një konsensus nga të gjitha aktorët politikë në sallën e kuvendit.

Fakti që zoti Rama i ka 84 vota, fakti që këto 84 vota i përdori pak ditë më parë po kundër sistemit të drejtësisë për sa i përket pagave të tyre, tregon që gjithë ky kuadër ligjor i përgatitur, pavarësisht se i ka lënë afat deri në 28 tetor për të pasur një konsultim publik me aktorët e drejtësisë, do të thotë që në atë ditë që do vijë koha për ta votuar, ata janë të lehtësisht për ta votuar si t'i dojë qejfi pa asnjë ndryshim.

Prandaj, kjo mënyrë e organizimit të paketës dhe rruga që do shkojë deri në votimin e saj, tregon që ata e kanë ndarë mendjen për ta miratuar këtë paketë kështu siç e kanë përgatitur. Nëse ti do të hysh në brendësi të paketës, sigurisht që ajo mund të gjejë justifikimin e artikuluar prej të gjithëve prej kohësh që masa e arrestit në burg, mënyra se si prokurorët sillen me të pandehurit, mënyra se si gjykata bëhet krah i prokurorëve, është një realitet në Shqipëri.

Dhe ky realitet nuk është se është prodhuar sot apo është prodhuar gjatë këtyre viteve. Ka një bazë në të kaluarën e saj, pra një sistem sovjetik, penal i Shqipërisë për 50 vite vazhdoi dhe për vitet e tjera në vazhdim me të’, u shpreh Andi Tela në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco