Protesta e mbajtur të enjten në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë ka përfunduar në mënyrë të qetë dhe pa incidente, njoftoi Policia e Kosovës.
Protesta nisi rreth orës 16:00 dhe përfundoi në orën 17:50. Sipas Policisë, për mbarëvajtjen e tubimit u ndërmorën masat e nevojshme për garantimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe menaxhimin e situatës gjatë zhvillimit të protestës.
Në njoftimin zyrtar, Policia e Kosovës ka falënderuar organizatorët dhe mijëra qytetarët që morën pjesë në protestë për, siç është shprehur, “qytetarinë, kulturën dhe sjelljen paqësore” të treguar gjatë tubimit.
Policia ka vlerësuar në veçanti respektimin e udhëzimeve të dhëna nga zyrtarët policorë, përfshirë ato që lidhen me qarkullimin në trafikun rrugor.
“Protestimi në mënyrë të qetë, sjellja e përgjegjshme dhe respektimi i udhëzimeve policore kontribuuan në mbarëvajtjen e qetë dhe të sigurt të protestës paqësore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Sipas autoriteteve, gjatë gjithë protestës nuk janë evidentuar incidente dhe tubimi është zhvilluar në mënyrë paqësore.

