
Ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme vijojnë të konsiderohen ndër sektorët me rrezikun më të lartë për pastrimin e parave në Shqipëri. Të dhënat u bënë publike nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës Financiare, Ervin Koçi, gjatë diskutimit në Komisionin e Ligjeve të projektligjit të ri “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.
Sipas Koçit, vetëm gjatë vitit 2025 AIF ka referuar 269 raste te institucionet ligjzbatuese. Prej tyre, 24 raste janë dërguar në prokuroritë e rretheve, 32 në SPAK, 133 në Policinë e Shtetit dhe 80 në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
“Policia ka referuar 85-90% të rasteve tona. SPAK-u i ka vlerësuar dhe ka nisur investigimin penal për rastet tona”, deklaroi Koçi gjatë mbledhjes.
Një pjesë e konsiderueshme e këtyre rasteve lidhen me tregun e pasurive të paluajtshme. Sipas kreut të AIF-së, mbi 100 nga 269 rastet e referuara gjatë vitit të kaluar kanë lidhje me pasuritë e paluajtshme.
“Është e vërtetë që ndërtimi është sektor me risk të lartë në pastrimin e parave. Nga 269 raste që kemi referuar, mbi 100 kanë të bëjnë me pasuritë e paluajtshme, prandaj na del me risk të lartë ndërtimi”, tha Koçi.
Ai bëri të ditur gjithashtu se gjatë periudhës 2022-2026 janë bllokuar rreth 24 milionë euro, të cilat më pas u janë referuar organeve ligjzbatuese.Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve u ngrit edhe çështja e ndikimit të parave të paligjshme në kursin e këmbimit.
Deputeti i opozitës Oerd Bylykbashi e lidhi zhvlerësimin e euros me flukset e parave të paligjshme, por kreu i AIF-së e kundërshtoi këtë argument, duke iu referuar një raporti të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
“Sa i përket kursit të këmbimit, lexoni raportin e FMN-së. Vlerësimi i lekut ka ardhur për faktorë fondamentalë. Faktorët jo fondamentalë, ku përfshihet ekonomia informale, pastrimi i parave apo burime të tjera jo të ligjshme, janë shumë modestë”, deklaroi Koçi.
Deputeti demokrat Saimir Korreshi kërkoi llogari për rezultatet e institucioneve në luftën kundër pastrimit të parave, duke theksuar se opozita nuk kundërshton përafrimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Europian, por kërkon më shumë efikasitet në zbatimin e tij.
Korreshi ngriti shqetësimin për përmasat e parave të paligjshme që, sipas tij, po investohen në pasuri të paluajtshme dhe sektorin e ndërtimit.
Edhe deputeti Oerd Bylykbashi kundërshtoi ritmin e shqyrtimit të projektligjit, duke argumentuar se një ligj me rreth 200 nene dhe me rëndësi për luftën kundër pastrimit të parave kërkon një shqyrtim më të detajuar në komision.
“Situata është gangrenë me pastrimin e parave. Sot supozohet ta miratojmë nen për nen”, deklaroi Bylykbashi.
Ndërsa deputeti Gent Strazimiri kritikoi gjithashtu mënyrën dhe ritmin e hartimit të projektligjit, duke kërkuar më shumë kohë për shqyrtimin e dispozitave.
Sipas kreut të AIF, Ervin Koçit, projektligji i ri synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian dhe bazohet në qasjen sipas nivelit të rrezikut.
Ai solli si shembull sistemin bankar, ku klientët klasifikohen sipas nivelit të rrezikut dhe, për kategoritë me rrezik më të lartë, kërkohet dokumentacion shtesë dhe kontrolle më të thelluara.
Projektligji “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, nëse miratohet në Kuvend, parashikohet të hyjë në fuqi më 1 janar 2028.
Në fund të diskutimeve, projektligji u miratua në Komisionin e Ligjeve vetëm me votat e mazhorancës. Katër deputetë të opozitës nuk morën pjesë në votim, ndërsa nuk pati vota kundër apo abstenime./Versus.al

