Meqë kjo çështja e skandalit me regjistrime videosh erotike po kthehet në një fushatë kundër atyre që linçojnë njerëzit e filmuar, Muli i kërkoi Lelos që edhe PD-ja të mbajë një qëndrim për këtë çështje.
– Është mirë ta shmangim, – tha Lelo, – se do të na futet përçarja në koalicion. Fatmirit kjo mund t’i duket Gërdec i dytë.
– Nuk ka rëndësi ajo, – tha Muli, – por duhet të dalim si parti e emancipuar dhe të deklarojmë se ne nuk merremi me jetën private të njerëzve.
– Puna është se ne vetëm me këtë jemi marrë, – i tha Lelo. – Doktori ua ka numëruar dashnoret gjithë socialistëve dhe dashnorët gjithë grave socialiste. Nuk ka ngelur asnjë prej tyre që nuk e ka një dashnor nga Doktori.
– Ato janë çështje politike, – tha Muli, – po flasim për jetë private.
– Puna është se ne shumicën e politikës e kemi bërë me jetën private. Doktori ka mbi 200 kërcënime ndaj Edi Ramës, duke i thënë se do t’i nxjerrë një video. Në çdo prag fushate, temë kryesore kemi se do të nxjerrim një video nudo. Në çdo debat kemi akuzuar njerëzit se për ta ka video nudo. Madje, edhe javën që shkoi, Doktori akuzoi gjysmën e grave në Kuvend se kanë shkuar me Gysin dhe kanë video. Aq sa iu desh asaj deputetes së Vlorës t’i thoshte se kam shkuar bashkë me Argitën.
– E kuptoj, – tha Muli, – por duhet të marrim një qëndrim.
– Po s’di çfarë qëndrimi të marrim, – i tha Lelo, – se dukemi si këto artistet dhe këngëtaret që nuk janë në video dhe dalin e deklarojnë gjithë krenari: “Mos na linçoni se nuk jam në video, se po më cenoni dinjitetin.” Edhe ne do të dukemi sikur kemi ndonjë hall.
– Po si thua ti, – tha Muli, – të ndodhë gjithë kjo gjëmë dhe ne të mos flasim?
– Mirë do të ishte, – tha Lelo. – Kemi gjithë jetën që flasim për këtë punë; tani le të flasin shqiptarët.
Lini një Përgjigje