Një vatër e madhe zjarri ka shpërthyer mbrëmjen e sotme në fshatrat Manati dhe Barbullush të bashkisë së Lezhës, e cila rrezikon të shkrumbojë shtëpitë e banorëve të zonës. Flakët po favorizohen dhe nga era e fortë.
Bimësia me ferra dhe shkurre është përfshirë papritur nga flakët, të cilat tashmë janë përhapur në një sipërfaqe të gjerë.
Situata paraqitet shqetësuese, pasi flakët po afrohen pranë shtëpive, duke rrezikuar zonat e banuara, ndërkohë që banorët janë angazhuar vullnetarisht me forcat zjarrfikëse.
Forcat zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë për vënien nën kontroll të zjarrit, por ndërhyrja po vështirësohet nga era e fortë, e cila favorizon përhapjen e flakëve. Për shkak të errësirës, edhe helikopterët nuk mund të operojnë nga ajri.
