BOTA /

Përshkallëzohen protestat e nxënësve në Francë, i vihet flaka me benzinë dhe dy shkollave

Protestat kanë nisur për shkak të shqetësimeve të nxënësve lidhur me mungesën e stafit dhe gjendjen e amortizuar të disa godinave shkollore

Shkruar nga Versus

Përshkallëzohen protestat e nxënësve në Francë, i

Protestat e nxënësve të shkollave të mesme janë përshkallëzuar në Francë, ku të enjten u regjistruan zjarre në të paktën dy institucione arsimore, ndërsa në një tjetër mësuesit u spërkatën aksidentalisht me benzinë.

Në shkollën e mesme Victor Hugo në Marsejë, një nxënës tentoi të hidhte benzinë në një kosh plehrash, por lënda u derdh dhe spërkati disa mësues që ndodheshin pranë. Autoritetet lokale thanë se incidenti ishte aksidental. Më herët, prokuroria kishte deklaruar se mësuesit ishin sulmuar dhe ishin “lagur me benzinë”.

Në një tjetër shkollë të Marsejës, Saint-Exupery, qindra të rinj rrethuan një automjet zjarrfikës që kishte mbërritur për të shuar një zjarr. Sipas policisë, protestuesit i detyruan zjarrfikësit të largoheshin nga automjeti dhe më pas i vunë flakën.

Një tjetër zjarr u raportua në një shkollë në qytetin perëndimor të Nantes, ndërsa ekipet e zjarrfikësve ndërhynë për shuarjen e flakëve.

Protestat kanë nisur për shkak të shqetësimeve të nxënësve lidhur me mungesën e stafit dhe gjendjen e amortizuar të disa godinave shkollore, por gjatë ditëve të fundit situata është shoqëruar edhe me përplasje dhe akte dhune.

Ministri francez i Arsimit, Édouard Geffray, njoftoi se të premten do të zhvillojë takime me përfaqësues të sindikatave të mësuesve, shoqatave të prindërve dhe organizatave të nxënësve, në përpjekje për të adresuar situatën e krijuar./Versus.al

Poll