Vizita e Von der Leyen në Kosovë, Hoxha: Mesazhet e BE-së janë fjali shterpë
Ylli Hoxha ka komentuar mesazhet e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Kosovë, duke e cilësuar të pamjaftueshme qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Prishtinës.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi, analisti Hoxha tha se Kosova mbetet i vetmi vend në Evropë pa status kandidat dhe pa një perspektivë të qartë evropiane.
Hoxha u ndal edhe te Gjykata Speciale, duke kërkuar hapjen e një dialogu për reduktimin e mandatit të saj dhe kalimin gradual të çështjeve te drejtësia e Kosovës.
Ai komentoi gjithashtu protestat kundër ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, si dhe krizën institucionale në Kosovë dhe afatin për zgjedhjen e presidentit.
INTERVISTA E PLOTË:
Si u perceptuan mesazhet e presidentes së Komisionit Evropian, pra mesazhet e Bashkimit Evropian, Von der Leyen sot në Kosovë?
Ylli Hoxha: Po mendoj se nuk është se do të ketë ndonjë mesazh të fortë të Bashkimit Evropian për faktin se nuk ka një ide se si të ecet karshi Kosovës. Kosova në raport me Bashkimin Evropian mbetet peng politike, peng i vendimit jo të drejtë të Bashkimit Evropian që ta ndërlidhë fatin e Kosovës me atë të Serbisë. Në pamundësi për të cytur Serbinë mbahen peng jo vetëm Kosova, por edhe ndoshta dy ose tre shtete të tjera të rajonit. Dhe gjithsesi kjo është një prej defekteve të mëdha të Bashkimit Evropian, e cila vjen në një turne rajonal, por nuk ka se çfarë kumton më shumë se një refren të dëgjuar tani për vite e vite, e cila, nëse ballafaqohet me faktin se Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk ka status kandidati, të gjitha të tjerat mbesin kështu si fjali shterpë, të cilat nuk kanë ndonjë kuptim.
Pra, nga një anë është Bashkimi Evropian që thotë respektoni vullnetin e pavarësinë e gjykatës së Kosovës, aktgjykimin që dha në fakt, dhe nga ana tjetër janë protestat e përditshme. Pra ju thoni që nuk ka asnjë lloj ndikimi kjo vendosje viza vi e Bashkimit Evropian me vullnetin popullor të shprehur në protesta.
Ylli Hoxha: Jo, është çështje tjetër, por ka një dozë padrejtësie karshi Kosovës. Kosova është i vetmi vend jo kandidat dhe i cili nuk gëzon asnjë perspektivë evropiane, përderisa besoj që është shteti me më së shumti gatishmëri në rajon për të absorbuar gjithë spektrin e kërkesave që Bashkimi Evropian ka ndaj një vendi kandidat. Dhe në aspektin e Gjykatës Speciale unë besoj se duhet hapur një dialog i ri, i cili synon mbylljen e Gjykatës Speciale në një afat të shkurtër, reduktimin e saj, sepse tanimë në Gjykatën Speciale janë konstatuar dy gjëra, e para që nuk ka pasur trafikim organesh, dhe e dytë se nuk ka pasur një përndjekje sistematike ndaj kujdo në Kosovë gjatë luftës, që ishin dy pretendimet kryesore të raportit të Dick Marty-t mbi të cilin u hap e u bë edhe gjykata me kërkesë të Bashkimit Evropian. Dhe meqë dy pretendimet kryesore kanë rënë, atëherë besoj se ka hapësirë të mjaftueshme që të diskutohet për mundësinë e reduktimit të Gjykatës Speciale, të këtij trupi i cili në fakt ka një farë fenomeni monstrumi sepse nuk është i natyrshëm si trup i drejtësisë, dhe kalimin e lëndëve gradualisht tek gjyqësia e Kosovës. Mos të harrojmë të përmendim diçka që Kosova prin për sa i përket përndjekjes së krimeve të luftës. Në Kosovë janë gjykuar diku 40 raste për krime lufte brenda sistemit tonë të drejtësisë, prej të cilave 35 kanë qenë shqiptarë të dënuar. Besoj se është shifër që tejkalon edhe Serbinë, edhe Kroacinë, edhe Bosnjë-Hercegovinën. Prandaj nuk do të duhej Kosova të trajtohej jo proporcionalisht përkundrejt këtyre shteteve të tjera, dhe çështjet e krimeve të luftës duhet gradualisht të zhvendosen në Kosovë.
Le të kujtojmë pak ose të përpiqemi të kuptojmë, përse protestuesit në Prishtinë prej ditësh kërkojnë dorëheqjen e ministres së drejtësisë, Donika Gërvalla. Përse, dhe një opinion juaj?
Ylli Hoxha: Po sepse Donika Gërvalla në të kaluarën e vet politike, sidomos gjatë fazës kur ishte në LDK, por jo vetëm, edhe gjatë kohës kur ka aderuar në VV, kishte një qasje bukur kritike ndaj udhëheqësve politikë që dilnin nga UÇK-ja, pra zotit Thaçi, zotit Veseli, zotit Selimi, zotit Krasniqi. Dhe kjo, një sërë deklaratash të cilat në atë kohë perceptoheshin agresive ndaj tyre, ato tani më përdoren në ditët e sotme si një lloj stigmatizimi i saj se ajo ka kontribuar disi në vendimin të cilin e ka marrë Gjykata Speciale. Ajo e ka mohuar një gjë të tillë, por kjo është arsyeja pse njerëzit kërkojnë dorëheqjen e saj.
Edhe pesë ditë mbeten nga afati deri kur mund të mos rrezikohet mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë. A ka ndonjë opsion tjetër, a ka ndonjë shans apo gjendja është krejt pezull?
Ylli Hoxha: Të vendosim një administrator ndërkombëtar sepse ne nuk kemi ndonjë gjë për të zgjedhur presidentin.Kjo ishte kështu cinike, por besoj se është momenti i fundit që të dalim nga gropa të cilën ia kemi krijuar vetes për një vit e gjysmë si Kosovë, të krijojmë institucione. Sepse po nuk e bëmë presidentin në ditët e ardhshme, po nuk e përmbyllëm këtë cikël institucional, të gjitha aspiratat e tjera për ta sfiduar Gjykatën Speciale, për t’i ndihmuar në apel, për të bërë presion ndërkombëtar apo për të aprovuar ligjin i cili është propozuar për reduktimin e pushtetit të gjykatës, të gjitha ato shndërrohen në një demagogji të thellë të skenës politike. Sepse pa instrumentin e pushtetit, pa institucione funksionale, nuk do të mund të bëjmë asgjë.
/vizionplus.tv




