Dyshohet se ka transportuar të paktën 50 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt Europës, Eldi Dizdari ekstradohet nga Dubai drejt Belgjikës

01/10/2026 21:44

Eldi Dizdari, i njohur edhe si Denis Matoshi, është ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Belgjikës, ku është dërguar menjëherë në burg.

Lajmi u publikua nga mediat belge dhe më pas u konfirmua nga ministrja belge e Drejtësisë, Annelies Verlinden, e cila e ka cilësuar ekstradimin si një tjetër shembull të bashkëpunimit mes Belgjikës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në luftën kundër trafikut të drogës.

“Nuk ka strehë të sigurta për kriminelët e drogës”, tha Verlinden për mediat belge. 37-vjeçari është dënuar nga drejtësia belge me 10 vite burg për rolin e tij në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Dizdari, i njohur edhe me pseudonimet “Shqiptari i gjatë” dhe “Alduth”, konsiderohet një prej figurave kryesore të organizatës kriminale “Kompania Bello”.

Sipas hetimeve, grupi ku bënte pjesë edhe Dritan Gjika dyshohet se ka trafikuar të paktën 50 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian. Për këtë grup ka zhvilluar hetime edhe SPAK në Shqipëri.

Me ekstradimin në Belgjikë, Dizdari tashmë ndodhet në duart e drejtësisë belge, për të vuajtur dënimin 10-vjeçar të dhënë nga gjykata e Anversës.

Kush është Eldi Dizdari?

Eldi Dizdari është i përfshirë në vrasjen e 4 tetorit në ish-Bllok në vitin 2018-ën dhe është një nga të arrestuarit e operacionit të madh antidrogë të zhvilluar në Itali.

Ai më pas është kapur në Dubai në vitin 2020 me bashkëpunimin e Policive të disa shteteve europiane.

Dizdari është shpallur në kërkim që prej tetorit 2018, pas ngjarjes së ndodhur në ish-Bllok, ku u plagosën disa persona dhe mbeti i vdekur Fabiol Gaxha, teksa dyshohet se është edhe personi që ka porositur 613 kg kokainë, të kapur në konteinerët me banane të Arbër Çekajt në Portin e Durrësit.

Dizdari njihet për rolin e tij në trafikun e kokainës.Mësohet se një kartel shqiptar i trafikut ndërkombëtar të drogës u shkatërrua në Firence të Italisë dhe një prej bashkëpuntorëve ishte edhe Eldi Dizdari, që fshihej në Dubai pasi ishte në kërkim nga shteti shqiptar.

Top Channel