Një fotografi me Presidentin amerikan Donald Trump, kryeministri Edi Rama e përdori për t’iu përgjigjur me ironi opozitës, e cila ditët e fundit kishte pretenduar se gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara ai nuk kishte zhvilluar takime me liderë të rëndësishëm.

Rama publikoi në rrjetet sociale fotografinë ku shfaqet së bashku me bashkëshorten Linda dhe Presidentin Trump, duke ironizuar se, meqë sipas opozitës nuk e kishte takuar dot, ishte detyruar ta realizonte foton me Inteligjencë Artificiale.

“Meqë s’e takova dot, siç thanë ata që çfarë nuk thonë, po asgjë s’bëjnë e s’na bëjnë dot, u detyrova ta bëj me IA. Po thuajuni atyre të bëjnë kujdes, se dro del që s’është IA dhe dalin prap si kokrrat e kandarit”, shkruan Rama.

Ironia e kryeministrit vjen pas deklaratave të opozitës për vizitën e tij disaditore në Shtetet e Bashkuara. Deputetja demokrate Ina Zhupa kishte deklaruar pak ditë më parë se Rama ishte “refuzuar” në Nju Jork, duke thënë se nuk kishte zhvilluar takime dypalëshe me liderë të rëndësishëm.

“Një javë në Nju Jork dhe Edi Rama nuk arriti të zhvillojë asnjë takim dypalësh me një lider të rëndësishëm rajonal, europian apo botëror”, shkroi Zhupa.

Rama qëndroi për disa ditë në SHBA, ku mori pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe zhvilloi takime edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar.