Eldi Dizdari, i njohur edhe si Denis Matoshi, është ekstraduar nga Dubai drejt Belgjikës, ku do të përballet me vendimin e drejtësisë belge për dënimin me 10 vite burg për rolin e tij në aktivitetin e trafikut të drogës.
Lajmi është konfirmuar nga ministrja e Drejtësisë e Belgjikës, Annelies Verlinden, e cila e ka bërë të ditur ekstradimin përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe, ne po tregojmë se nuk ka strehë të sigurta për kriminelët e drogës”, ka shkruar Verlinden.
37-vjeçari Dizdari konsiderohet si një prej figurave kryesore të organizatës kriminale “Kompania Bello” dhe njihet edhe me pseudonimet “Shqiptari i gjatë” dhe “Alduth”.
Në Belgjikë, ai do të përballet me vendimin e Gjykatës së Anversës, e cila e ka dënuar me 10 vite burg për përfshirjen në aktivitetin e trafikut të drogës.
Grupi ku bënte pjesë Dizdari, së bashku me Dritan Gjikën, është goditur edhe nga SPAK, pasi dyshohet se ka transportuar të paktën 50 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Në vitin 2020, kur Prokuroria e Posaçme nisi hetimin pasuror ndaj tij, autoritetet mësuan se Dizdari kishte përfituar si dhuratë një tokë me sipërfaqe 500 metra katrorë nga Qefsere e Eqerem Grori dhe Osman Dervishi, në një prej zonave më të shtrenjta të Tiranës, në rrugën “Dervish Hima”, pranë stadiumit “Air Albania”.
Denis Matoshi u fut në një avion në Emiratet e Bashkuara Arabe të mërkurën dhe, disa orë më vonë, mbërriti në aeroportin ushtarak të Melsbroek në Belgjikë. Prej aty, ai u transferua menjëherë në një burg belg.

