Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

42 makina legjendare pushtojnë rrugët! “Tirana Grand Prix” rikthen historinë në kryeqytet

Shkruar nga Newsbomb

42 makina legjendare pushtojnë rrugët! “Tirana Grand Prix”

Makinat që kanë shkruar historinë e automobilizmit do të rikthehen në rrugët e Tiranës, në një aktivitet që bashkon pasionin për automjetet historike me emocionin e garës. Nga data 2 deri më 4 tetor 2026, sheshi “Nënë Tereza” do të mirëpresë edicionin e tretë të “Tirana Grand Prix”.

I konceptuar për herë të parë në vitin 2023 si një garë ndërkombëtare rregullsie për automjete historike, aktiviteti synon të promovojë trashëgiminë automobilistike dhe kulturën e koleksionimit.

Për tri ditë, koleksionistë, pilotë, navigatorë dhe klube automobilistike nga Shqipëria, rajoni dhe Europa do të bëhen pjesë e këtij takimi të veçantë.

Në fokus do të jenë automjetet e prodhuara deri në vitin 1980, si dhe modelet youngtimer të periudhës 1980–1995, të cilat do të dalin nga koleksionet private për t’u prezantuar para publikut.

Ajo që e dallon këtë garë është se shpejtësia nuk është faktori përcaktues. Ekipet duhet të tregojnë saktësi në respektimin e kohës dhe ritmit të përcaktuar përgjatë itinerarit, duke vënë në provë përgatitjen teknike dhe bashkëpunimin mes pilotit dhe navigatorit.

Programi nis më 2 tetor me mbërritjen e pjesëmarrësve, verifikimet teknike, hapjen zyrtare dhe ekspozitën e automjeteve historike. Më 3 tetor do të zhvillohen gara, xhirot e provës, aktivitetet për publikun dhe programi artistik, ndërsa më 4 tetor aktiviteti do të kulmojë me ceremoninë e ndarjes së çmimeve dhe paradën përmbyllëse.

“Tirana Grand Prix” synon të kthejë kryeqytetin në një pikë takimi për adhuruesit e automobilizmit, duke ofruar një fundjavë ku historia, eleganca dhe pasioni për makinat bashkohen në një eksperiencë të hapur për të gjithë.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese