Gjendja përcakton psikologjinë e masave. Habia nuk është fare në atë që ndodh, habia është te ajo që mezi pritet të shfaqet. Nuk ka çfarë të thuash kur fakti është konkret dhe aty ka plasur një sy i qëllimshëm që i ka dhënë zë asaj që bëhet për të qenë e fshehtë. Po përtej kësaj, mes kësaj zhurme, kaosi dhe padyshim shëmtie, ia vlen të thuhen ca mesazhe që rrëfejnë humbjen e njerëzores.
Është njëlloj si ajo ngjarja klishe kur dikush bie në rrugë dhe pret ndihmë, ndërsa kalimtarët kalojnë në punë të vet pa pikën e ndjeshmërisë. Madje dhe e gjykojnë: Po ky në mes të rrugës?!
Ngjarja e 48 orëve të fundit, përtej personazheve, është një pasqyrë e rëndë shoqërore, përmbajtje dhe mbi të gjitha moral.
Ku na ka humbur morali?
Njerëzit janë bërë të gabojnë, të sprovojnë, të rroken në pandërgjegje, të bëjnë dhe të këqija ndonjëherë, të ngatërrohen.
Më e keqja e gjithë kësaj është mania për të parë intimitetin tënd, për ta pasur konfirmimin, për të filmuar dëshirën dhe për ta kthyer atë më pas në një qelb. E pastaj në krim.
Kjo zhurmë dhe ngjarje kaotike vërteton se e vërteta është më e fortë se çdo gjë në këtë botë dhe përballë saj kushdo prej nesh është i dobët dhe gënjen veten se mund t’ia hedhë.
Mendimi i fshehur vdes me ne, po veprimi i fshehur jeton mes nesh.
E keqja më e madhe është se ne e normalizojmë të gjithë këtë që ndodh, e justifikojmë sikur po u bëjmë gjyqin dëshirave. Jo, ne gjyqin po ia bëjmë asaj që del nga kutia e dëshirave dhe hapet në pazar. E trajtojmë intimitetin si monedhat në bursë dhe e hedhim për t’ia dhënë turmës.
Kurioziteti i turmës në çdo kohë do të jetë vrastar, sepse në asnjë moment vetvetiu nuk do të ketë mëshirë kur sheh diçka që nuk e sheh në mënyrën e zakonshme.
Edhe kjo është pikërisht ajo nga e cila duhet të ruhemi, duhet të vendosim vetëkontroll, duhet të ruajmë vigjilencën dhe të mbajmë kartën morale fort, duke i dhënë zë fuqisë që ka ky kod.
Njeriu, kur bëri krimin për herë të parë, kur bëri atë që është e ndaluar, nuk i tha dikush që është gabim. Ai ndjeu dhe arsyetoi se ajo ishte diçka që e ngatërronte, e dërgonte në veprime që s’e linin të qetë.
Disa vendosin të mpihen, disa të humbin dhe disa të rezistojnë.
E keqja e të gjithave është se morali ka dalë në pazar dhe shfaqet si një rezistencë dhe jo më si normë. Edhe të ngjan kaq e trashë e gjitha kjo, sikur ka qenë në një botë tjetër.
Ne jemi vërdallë këtyre rrugëve për të ndërtuar njeriun.
Edhe jemi në një udhëkryq kaq të madh për të kuptuar nëse e kemi apo e kemi humbur.
Edhe e di që pas gjithë këtyre fjalëve ata do vijojnë sërish “Po po në atë krah fli”.
Lini një Përgjigje