AKTUALITET /

Nepotizmi në AZHBR/ Fermeri përfiton 15 mln lek për stallën e re, inxhinieri i projektit është prindi i punonjëses së institucionit

I pyetur nëse projektin e kishte hartuar Ylli Ago, fermeri tha se kishte përdorur emrin e tij pasi Bashkia kërkonte një inxhinier të licencuar.

Shkruar nga Versus

Nepotizmi në AZHBR/ Fermeri përfiton 15 mln lek për stallën

Një rast nepotizmi është bërë publik në media që lidhet me Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR).

Bëhet fjalë për fondet akorduar fermerëve, dhe konkretisht në Kuçovë, ku përfitues ka qenë fermeri Ardit Bënja me një fond prej 28 mln lekë për ndërtimin e një stalle.

Por konflikti qëndron në faktin se inxhinieri i projektit , Ylli Ago, është babai i një punonjëseje të AZHBR-së që merret me administrimin e fondeve, Ana Ago.

Pavarësisht këtij rasti, më 12 gusht 2026 drejtoresha e AZHBR-së, Ardita Kuçi, ka firmosur pagesën 100% të mbështetjes për fermerin, në shumën rreth 15 milionë lekë.

Emisioni e ka krahasuar këtë rast me atë të dy fermerëve nga Roskoveci, për të cilët, sipas dokumenteve të publikuara në investigim, është kërkuar kthimi i fondeve.

Fermeri Ardit Bënja ka deklaruar se ka pritur për vite për të përfituar fondet dhe ka mohuar të ketë përdorur sekser për marrjen e grantit.

“AZHBR-ja dhe Ministria kanë pasur luftë me njëra-tjetrën. Dhe viktimë isha unë. Unë kam bërë projekte, kam futur lopë e kam ndërtuar stallën. Ma mbajtën dy vite, dy ish-drejtorë. Tani drejtoresha Ardita Kuçi m’i dha”, është shprehur ai për “Fiks Fare”.

I pyetur nëse projektin e kishte hartuar Ylli Ago, Bënja tha se kishte përdorur emrin e tij pasi Bashkia kërkonte një inxhinier të licencuar.

Ndërkohë, Ylli Ago, në një komunikim telefonik me emisionin, tha se projekti ishte paguar, por deklaroi se ai nuk kishte marrë para. Ai konfirmoi gjithashtu se vajza e tij, Ana Ago, ishte larguar nga AZHBR pas publikimit të rastit.

Ana Ago, nga ana tjetër, mohoi çdo përfshirje në procedurën e grantit. Ajo tha se babai i saj nuk e kishte hartuar projektin dhe se emri dhe numri i tij i telefonit ishin vendosur nga një bashkëpunëtor i tij.

Ago mohoi gjithashtu të kishte shërbyer si sekser dhe deklaroi se situata i kishte shkaktuar stres. Për raportin e saj me drejtoreshën Ardita Kuçi, ajo tha se të dyja kishin punuar më herët në të njëjtën ministri.

Emisioni thotë se ka kërkuar sërish një përgjigje nga drejtoresha Kuçi, por ajo nuk ka pranuar të japë shpjegime për rastet e denoncuara./Versus.al

Poll