Artisti Hervin Çuli ka reaguar përmes një shkrimi të gjatë në rrjetet sociale pas publikimit dhe shpërndarjes së disa videove intime, të filmuara me kamera të fshehta nga kompozitori Adrian Hila.
Çuli shprehet kundër publikimit dhe qarkullimit të materialeve intime, ndërsa në reagimin e tij fokusohet te pasojat që kjo situatë ka shkaktuar për familjarët dhe personat e tjerë të përfshirë.
Artisti kërkon që videot dhe imazhet të mos vijojnë të shpërndahen dhe që personat e përfshirë të mos gjykohen për jetën e tyre private. Ai shprehet veçanërisht në mbështetje të Klaudia Mikeli-Hilës, bashkëshortes së Adrian Hilës, të cilën thotë se e njeh që prej rinisë së hershme.
Çuli e cilëson Adrian Hilën një “muzikant të shkëlqyer” dhe kundërshton komentet dhe spekulimet që janë bërë në rrjet lidhur me kompozitorin. Sipas tij, problemi kryesor që duhet të hetohet dhe për të cilin Hila duhet të japë llogari lidhet me regjistrimin e intimiteteve pa konsensusin e personave të përfshirë.
“Krimi i tij është xhirimi i intimiteteve pa konsensusin e partnereve. Kjo është gijotina e tij për të cilën duhet gjykuar dhe duhet të japë llogari. Pjesa tjetër e spekullimeve është e neveritshme”, shkruan Çuli.
Ai shprehet gjithashtu se artistet e tjera që shfaqen në videot e publikuara nuk kanë detyrim të japin shpjegime për jetën e tyre private.
“Artistet e tjera që janë në video nuk kanë asnjë detyrim të japin asnjë sqarim për jetën e tyre private. Nuk kanë bërë asnjë krim”, shkruan ai.
Çuli e cilëson Klaudian si viktimën kryesore të situatës dhe shpreson që materiale të tjera të mos publikohen, duke theksuar se shpërndarja e tyre mund të rëndojë edhe më tej situatën familjare.
“Për mua viktima e vërtetë e kësaj historie është vetëm Klaudia! Shpresoj me shpirt që të mos dalin më video të tjera. Shpresoj të mos ja gërvishtin edhe më shumë dramën e saj”, shprehet artisti.
Në fund të reagimit, Çuli u bën thirrje njerëzve që të ndalojnë shpërndarjen e materialeve intime dhe të mos e rëndojnë më tej situatën.
“Lëreni të qetë Klaudian, zhdukini këto imazhe, këto imazhe që unë do t’i quaja të trishta! Ato janë imazhe që nuk kanë shkatërruar vetëm një jetë, por jetën e shumë familjeve të tjera.
E keqja ndodhi, që mos kish ndodhur kurrë, o Zot!”, përfundon reagimin e tij Hervin Çuli.

